Reali, fitore me dyshime

Real Madrid mposhti Juventusin 2-1 në Grupin B të Ligës së Kampionëve në një ndeshje mes shumë polemikash. Cristiano Ronaldo realizoi dy herë në pjesën e parë, përfshirë një penallti mjaft diskutabile, për fitoren e tretë të njëpasnjëshme të gjigantit madrilen që kështu bëri një hap të madh drejt kualifikimit për në fazën tjetër. Për…

Sport

23/10/2013 21:50

Real Madrid mposhti Juventusin 2-1 në Grupin B të Ligës së Kampionëve në një ndeshje mes shumë polemikash. Cristiano Ronaldo realizoi dy herë në pjesën e parë, përfshirë një penallti mjaft diskutabile, për fitoren e tretë të njëpasnjëshme të gjigantit madrilen që kështu bëri një hap të madh drejt kualifikimit për në fazën tjetër.

Për më tepër, Bianconerët e zhvilluan pjesën pothuajse gjithë pjesën e dytë me një futbollist më pak pas përjashtimit – po ashtu diskutabil – të Giorgio Chiellinit.

Fernando Llorente barazoi përkohësisht rezultatin për Juventusin. Tifozët në Santiago Bernabeu shprehën pakënaqësinë e tyre për rrjedhën e lojës dhe duartrokitën mysafirët duke vërshëllyer Realin në qastet e fundit të takimit.

Në ndeshjen tjetër të grupit, Galatasaray ka mposhtur 3-1 Copenhagen, duke u ngjitur në vendin e dytë të klasifikimit, e duke zbritur Juven në të tretin. Një ndeshje pa shumë histori kjo për turqit, teksa Felipe Melo, Sneijder dhe Drogba mbyllën llogaritë që në pjesën e parë.

Në grupin C, Ibrahimovic shpërthen duke realizuar katër gola për Paris SG, teksa francezët shkatërrojnë 5-0 Anderlecht-in në Belgjikë. Një natë e artë për suedezin, golave të të cilit iu shtua edhe ai i shënuar nga Edinson Cavani. Në ndeshjen tjetër të këtij grupi, Benfica barazoi 1-1 me Olympiacosin. Kampionët në fuqi të Bayern Munchen zhvillojnë një ndeshje “miqësore” ndaj Viktoria Plzen, në fund të së cilës gjermanët triumfojnë 5-0, falë dopietës së Ribery dhe golave të Alaba e Schweinsteiger.

Bavarezët ndodhen me pikë të plota në grupin D, aty ku vetëm pak orë më parë Manchester City arriti të fitonte 2-1 ndaj CSKA-së së Moskës në Rusi. Më delikate ishte sfida në “Old Trafford”, ku Manchester United siguron një fitore të vuajtur ndaj Real Sociedad, 1-0, edhe kjo e arritur falë një autogoli të Inigo Martinez në minutën e 2.

Në të njëjtin grup, Leverkusen ka shpërthyer ndaj Shakhtar Donetsk, duke shënuar plot 4 gola, nga të cilat 2 janë të Kiessling.