Reagon zyrtari i AAK-së: Nuk duhet të merren vendime të njëanshme, taksa s’është e një partie

Zyrtari i AAK-së, Besnik Tahiri, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës të mos marrë vendime të njëanshme për sa i përket taksës. Ka thënë se duhet të ketë konsensus politik për tema të tilla që kanë të bëjnë me Serbinë.

Lajme

22/02/2020 14:53

Reagimi i Tahirit ka ardhur një orë pas u sulmua me vezë Avdullah Hoti, Zëvendëskryeministër.

“Kosova e ka sfidë reformën në administatën e shtetit, kjo është është sfidë e të gjithë ekspertëve për të ndihmuar konsoliduar dhe reformuar shtetin, kurr skam me u ndal me ndihmu këtë proces. Megjithatë, në temat e dialogut me Serbinë nuk duhet të merren vendime të njëanshme dhe pa koncensus politikë, kjo nuk duhet avancohet. Taksa 100% nuk është e një partie, dy, apo tri, kjo është temë nacionale”, ka shkruar Tahiri në një reagim në Facebook.

Ndaj sulmit të sotëm ndaj Avdullah Hotit ka reaguar edhe Lidhja Demokratike e Kosovës dhe vetë Hoti, duke thënë se ata që kanë organizuar sulmin e sotëm synojnë izolimin e Kosovës.

Edhe Zëvendëskryeministri, Avdullah Hoti ka reaguar pas sulmit me vezë që ju bë mëngjesin e sotëm afër ndërtesës së qeverisë.

Hoti ka thënë se ata që e kanë sulmuar sot tentojnë të mbajnë Kosovën të izoluar.

“Porositësit e veprimit të sotëm tentojnë ta mbajnë Kosovën të izoluar. Kosova më nuk është e izoluar. Të izoluar janë vetëm ata që po japin urdhra të tillë”, ka thënë Hoti.

Edhe Zëdhënësi i Vetëvendosjes, Arlind Manxhuka, ka thënë se Partia e Albin Kurtit nuk qëndron prapa sulmit ndaj Zëvendëskryeministri Avdullah Hoti, i cili u sulmua me vezë sot në qendër të Prishtinës.