Reagon Zemaj: Sa herë shkoj në Amerikë ka të tilla lajme

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj nuk ka marrë thirrje për të dëshmuar lidhur me kallëzimin penal, që kolegia e tij nga radhët e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu ka bërë kundër tij.

Lajme

02/02/2016 22:16

Rasti ka të bëjë me hedhjen e gotës së qelqit në njërën nga seancat e Kuvendit të Kosovës, në të cilën dyshohet se deputeti Zemaj pas tensionimit të situatës e ka hedhur atë në drejtim të kolegëve opozitarë.

Deputeti Zemaj momentalisht ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku do të marrë pjesë në Lutjet e Mëngjesit.

I kontaktuar nga lajmi.net, Zemaj ka thënë si në shaka se “sa herë shkoj në Amerikë ka këso lajmesh”.

Më 9 tetor, Haxhiu ka deponuar kallëzim penal lidhur me hedhjen e gotës së qelqit nga deputeti Zemaj në drejtim të deputetëve të opozitës.

Ajo ka thënë për lajmi.net se ka marrë ftesë që nesër të dëshmojë për këtë rast.

“Kam marrë ftesë javën e kaluar nga Prokuroria Themelore e Prishtinës për të dëshmuar kundër deputetit Zemaj për hedhjen e gotës së qelqit në drejtim të deputetëve të opozitës dhe natyrisht që nesër në ora 10:00 do t’i përgjigjem kësaj ftese dhe do të dëshmojë kundër tij”, tha për lajmi.net Albulena Haxhiu./lajmi.net