VV i del në mbrojtje dhunuesit, Liburn Aliu

Pas arrestimit të drejtorit të Urbanizmit në Komunën e Prishtinës, Liburn Aliut, ka pasuar menjëherë reagimi i Lëvizjes Vetëvendosje, edhe pse ai kishte ushtruar dhunë.

Lajme

10/04/2015 21:07

Ky subjekt politik e ka quajtur arrestimin e Aliut si përpjekje për të penguar ndalimin e krimit urbanistik në Prishtinë.

Përmes këtij reagimi, VV thotë se ky arrestim tregon që Policia e Kosovës është instrumentalizuar për interesa politike të partive në pushtet.

Reagimi i plotë i Lëvizjes Vetëvendosje, përmes së cilës dëshiron të arsyetojë dhunën e ushtruar nga Aliu:

 

Policia hesht krimin urbanistik, arreston Drejtorin që po e lufton këtë krim

Policia e Kosovës ka arrestuar sonte Drejtorin për Urbanizëm, Ndërtim dhe Mbrojtje të Mjedisit në Komunën e Prishtinës, Liburn Aliun, lidhur me rastin për të cilin u akuzua sot.

Me këtë akt, dëshmohet edhe njëherë instrumentalizimi i Policisë së Kosovës për interesa të politikave ditore të partive në pushtet, që arrestojnë kësisoj njeriun i cili po e lufton krimin urbanistik në Komunën e Prishtinës, krim ky tradicional përgjatë 15 viteve të udhëheqjes së LDK-së me këtë Komunë. Për më tepër, arrestimi i Drejtorit Liburn Aliu i del në mbrojtje provokatorëve të cilët për interesat e tyre të ngushta personale e partiake, duan që krimi urbanistik të vazhdohet edhe më tutje në Komunën e Prishtinës.

I bëjmë thirrje Policisë së Kosovës që ta lirojë menjëherë Drejtorin Aliu, dhe që bashkë me gjykatat t’i hetojnë dhe t’i arrestojnë sa më parë të gjithë të përfshirët nëpër dosjet që tashmë Liburn Aliu i ka dorëzuar para organeve kompetente, dhe që lidhen direkt me kaosin urbanistik të cilin po e lufton ai. Luftën ndaj krimit urbanistik në Komunën e Prishtinës, nuk mund ta ndal më askush.