Reagon Vetëvendosje: Lirojini veteranët!

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar ndaj arrestimit të veteranëve të luftës të cilët pas protestës së djeshme u arrestuan nga Policia e Kosovës.

Lajme

08/08/2015 15:12

Vetëvendosje, në një njoftim për media, thotë se arrestimi i tyre është i padrejtë dhe se pushteti i tanishëm po e përdor dhunën për mohimin e protestës.

“Ky pushtet pasi e ka dëshmuar moskujdesin për vite të tëra për këtë kategori, po e përdor aparatin shtetëror të dhunës për t’ua mohuar edhe protestën, si mjet demokratik i domosdoshëm përmes të cilit veteranët e luftës po i kërkojnë të drejtat e tyre”.

“Persekutimi i veteranëve të luftës vjen me një kohë kur padrejtësitë ndaj tyre po rriten në proporcion të drejtë me rritjen e pasurisë së pushtetarëve që shfrytëzuan maksimalisht luftën e tyre për përfitime personale”.

Kjo lëvizje thotë se, ky pushtet në vend se t’i trajtojë siç duhet veteranët e luftës, i ka varfëruar e përçmuar, po i rrahë, po i arreston, po iu formon edhe “gjykata speciale”, për t’i frikësuar e shtypur edhe më tej, në mënyrë që t’i shuajë, siç thonë ata, zërat e pakënaqur të kësaj kategorie.

“Kërkesat e tyre janë të drejta. Kërkojmë lirimin e menjëhershëm të të gjithë veteranëve të arrestuar”, thuhet në njoftim.