Reagon Petkoviq pasi u ndalua të hyjë në Kosovë: Askush s’mund të na ndalojë t’i ndihmojmë njerëzit tanë

Pas vendimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme në Prishtinë për t’ia ndaluar hyrjen në Kosovë, drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha se veprimet e politikanëve shqiptarë tregojnë se marketingu politik është më i rëndësishëm për ta sesa jeta dhe siguria e njerëzve.

Lajme

14/01/2021 09:36

“Sonte, dy orë pas mesnatës, institucionet e përkohshme në Prishtinë vendosën të më ndalonin t’i vizitoja zonat e përmbytura në zonat serbe në provincën jugore dhe të dorëzoja ndihma humanitare për familjet e rrezikuara”, tha Petkoviq në një deklaratë.

Ai tha se “është e qartë që fushata zgjedhore në Prishtinë filloi para afatit ligjor” dhe se “serbët ishin përsëri shënjestrat kryesore”.

“Veprimet e politikanëve shqiptarë tregojnë se marketingu politik është më i rëndësishëm për ta sesa jeta dhe siguria e njerëzve. Në të njëjtën kohë, sjellja e Prishtinës tregon se Bashkimi Evropian nuk është në gjendje të sigurojë respektim për marrëveshjet e arritura, përfshirë atë për lirinë e lëvizjes. Ne po marrim pjesë në çfarëdo mënyre në rritjen e tensioneve në provincë, sepse një atmosferë e tillë derdhet gjithmonë mbi kurrizin e njerëzve tanë, por një gjë për të gjithë mund të jetë i sigurt – askush nuk mund të na ndalojë t’i ndihmojmë njerëzit tanë. Ndihma e Qeverisë sonë do të arrijë tek njerëzit tanë të rrezikuar nga përmbytjet, siç kemi premtuar”, tha Petkoviq, transmeton Express.

Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla ka bërë të ditur sot vendimin për t’ia kanë ndaluar hyrjen në Kosovë Petkoviqit.

“Pas interesimit të medieve, njoftoj opinionin publik se edhe sonte MPJD ka refuzuar kërkesën e zyrtarit serb Petar Petkoviq (i ashtuquajtur ‘drejtor në zyrë për Kosovën’) për vizitë në Republikën e Kosovës”, ka thënë Haradinaj.

Kjo sipas saj ka ndodhur pasi që Serbia po vazhdon të sillet në mënyrë destruktive.

Petkoviq e ka vizituar Kosovën dy herë brenda një periudhe të shkurtër. Ai së fundmi ka qenë në Kosovë për Krishtlindjen ortodokse ku ka dhuruar apartamente të ndërtuara nga Qeveria e Serbisë për serbët e Kosovës.