Reagon Osmani pas akuzave se bashkëshorti i saj dhe ajo ishin në dijeni të vrasjes që ndodhi mbrëmë në Ferizaj

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka reaguar pas rastit që ndodhi mbrëmë në Bibaj të Ferizajt ku mbeti i vrarë një 89 vjeçar. Viktima i cili është xhaxhai i bashkëshortit të Presidentes Osmani, Prindon Sadriu u vra mbrëmë nga një polic i cili ishte jashtë detyres zyrtare. Për këtë u raportua se Presidentja Osmani dhe…

Lajme

17/08/2024 15:30

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka reaguar pas rastit që ndodhi mbrëmë në Bibaj të Ferizajt ku mbeti i vrarë një 89 vjeçar.

Viktima i cili është xhaxhai i bashkëshortit të Presidentes Osmani, Prindon Sadriu u vra mbrëmë nga një polic i cili ishte jashtë detyres zyrtare.

Për këtë u raportua se Presidentja Osmani dhe bashkëshorti i saj kanë qenë në dijeni lidhur me rastin, dhe se vrasja ka ndodhur për arsye morali.

Përmes një postimi në Facebook ka reaguar edhe  vetë krerja e shtetit e cila tha se i ka njoftuar institucionet e sigurisë dhe është në përgatitje e sipër të të gjitha mjeteve ligjore.

“Pasi i kam njoftuar institucionet e sigurisë dhe jam në përgatitje e sipër të të gjitha mjeteve ligjore, po e bëj publik edhe këtë reagim ndaj publikimit të propagandës së paprecedentë që ka filluar Berat Buzhala dhe media e tij, gazeta online “Nacionale”, e që po vazhdon edhe nga disa portale të tjera”, ka shkruar Osmani.

Osmani ka thënë se “asnjë njohuri e asnjë lidhje me rrethanat që shpien në vrasjen e mbrëmshme nuk kam as unë e as bashkëshorti im, e aq më pak njohuri për ndonjë rast dhunimi”.

“Rrethanat që e kanë shtyrë Buzhalën dhe të tjerët në përhapjen e këtyre dezinformatave, kërkoj që urgjentisht të hetohen nga institucionet e sigurisë dhe ato të drejtësisë. Buzhala me “Nacionalen”, dhe disa të tjerë, duke më implikuar mua dhe bashkëshortin tim në situata me të cilat nuk kemi asnjë lidhje të vetme, kanë qëllim të qartë të nxitjes së urrejtjes, e cila pastaj rezulton në dhunë”,ka thënë Osmani.

Osmani ka thënë se këto pretendime janë duke i rrezikuar jetën, duke e implikuar drejtëprdrejtë atë në këtë rast.

“Kjo lidhje e rrejshme  dhe e rrezikshme e krijuar nga këto portale, me vetëdije të plotë dhe me qëllim të rrezikimit të jetës sime dhe të familjes sime, ndërkohë që autoritetet kompetente po e hetojnë rastin, tregon tendencën e drejtpërdrejtë të tyre për rrezikim te jetës, duke na implikuar rrejshëm madje edhe në gjoja ndërhyrje në drejtësi”.

“Ftoj sërish të gjitha organet e sigurisë dhe ato të drejtësisë që t’i hetojnë me prioritet të gjitha rrethanat e kësaj ngjarjeje e njëkohësisht edhe veprimet e këtij portali dhe portaleve të ngjashme që kanë qëllim të qartë për të rrezikuar jetën dhe nxitur urrejtje, e që këtë mision po shihet se e kanë edhe portalet e Serbisë”, ka përfunduar Osmani. /Lajmi.net/