Reagon Mustafa: Nuk synojmë ta rrëzojmë presidenten Jahjaga

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka demantuar lajmin se po bëhet ndonjë plan që synon shkarkimin e presidentes nga LAN dhe VV.

Lajme

15/09/2014 10:34

Mustafa sot ka shkruar se koalicioni VLAN e respekton mandatin e presidentes së vendit, Atifete Jahjaga.

Ai nëpërmjet një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook thotë se bashkimi i këtyre partive është programor, ndërsa për këtë synon qeverisjen e mirë të vendit.

“Lidhja Demokratike e Kosovës dhe partnerët e koalicionit respektojnë mandatin e Presidentes. Këtë e dëshmon edhe marrëveshja LDK, AAK dhe Nisma si dhe konfirmimi i bashkëpunimit në bazë të kësaj marrëveshje edhe me Lëvizjen Vetëvendosje. Bashkimi ynë është programor dhe ka për qëllim qeverisjen e mirë të vendit”, shkruan Mustafa.

Ndryshe, reagimi i Isa Mustafës, vije pasi një gazetë nga vendi ka shkruar se VLAN po synon shkarkimin e presidentes, për shkak se tek ta kishin nisur bindjet se nuk do të mund ta marrin kryeparlamentarin. Për këtë po planifikohej gjoja se LDK-së t’ia jepnin postin e presidentit.