Reagon ARKEP-i pas shkëputjes së kontratës së Telekomit me Z-Mobile
Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), njofton opinionin se në lidhje me procesin e shkëputjes së kontratës ndërmjet operatorit Telekomi i Kosovës dhe operatorit Dardafon.net “Z-Mobile”, është njoftuar dje zyrtarisht nga Telekomi i Kosovës.
Lajme
Përmes një kumtese për media, thotë se marrëdhëniet ndërmjet operatorëve të rrjetit dhe operatorëve virtual aktualisht në Kosovë janë të lejuara me marrëveshje komerciale.
“Në njoftimin e vet, Telekomi i Kosovës është zotuar se në pajtim me kushtet kontraktuale komerciale do të aplikoj një periudhe tranzitore në funksion të mbrojtjes së të konsumatorëve për mos ndërprerje të shërbimit. ARKEP është duke analizuar situatën e krijuar dhe në pajtueshmëri me kornizën ligjore dhe rregullative në fuqi do të ndërmarrë veprime rregullative nëse një gjë e tillë është e nevojshme në ditët në vijim, pas sqarimeve të pranuara nga palët në proces”, thuhet në kumtesë.
Poashtu, thuhet tutje në njoftim, “sqarojmë opinionin publik se në bazë të ligjit për komunikimet elektronike, Autoriteti në punën dhe në marrjen e vendimeve të veta është i pavarur nga çdo palë tjetër dhe se ne do të ndërmarrim të gjitha hapat e duhur ligjor me qëllim që mbrojtjes së të drejtave të përdoruesve të shërbimeve të komunikimeve elektronike në Republikën e Kosovës”.
Dje pas shkëputjes së kontratës së Telekomit me Z-Mobile, kryeshefi ekzekutiv i Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi, tha se të gjithë konsumatorët që shfrytëzojnë shërbimet e Dardafon (Z-Mobile) “të mos bien në panikë”, sepse në bashkëpunim në Autoritetin Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare të Kosovës (ARKEP) po punohet edhe drejt fazës së tranzicionit që do të zgjasë nga 30 deri 120 ditë.
Gjatë ditës së djeshme, Autoritetit Rregullativ (ARKEP) gjithashtu i është bërë thirrje që sa më parë të ndërmarrë veprimet që 300 mijë numrat në përdorim të Z-mobile sa më parë t’i kalojnë efektivisht Valës, ashtu edhe siç i takojnë.