Reagon ambasadori serb në OKB, pas fjalimit të Ramës

Misioni i Serbisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB) ka reaguar lidhur me deklaratën e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, transmeton lajmi.net.

Lajme

03/10/2015 09:10

Ambasadori i Serbisë në OKB, Milan Milanoviq, ka thënë se thirrja e kryeministrit Rama për ta njohur Kosovën e bërë gjatë fjalimit të tij në Asamblenë e Përgjithshme, është keqpërdorim i rastit.

Në reagimin e tij, ambasadori serb në OKB ka thënë se Kosova nuk është e pavarur dhe se nuk është as pjesë e Kombeve të Bashkuara.

Ai ka thënë se deklarata të tilla si të kryeministrit të Shqipërisë mund ta dëmtojnë procesin e dialogut për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, që po bëhet me ndërmjetësimin e BE-së, transmeton lajmi.net.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në fjalimin e tij në AP të OKB-së ka thënë se bisedimet që po zhvillohen në Bruksel mes dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë, do të sjellë stabilitet në rajon, dhe ka shtuar se këto dy shtete duhet të gjejnë mundësi të përbashkët për të gjetur zgjidhje për një sërë çështjesh që do të ishte në të mirë të qytetarëve nga të dyja shtetet.

Ai gjithashtu u ka bërë thirrje shteteve që ende nuk e kanë pranuar Kosovën, ta bëjnë një gjë të tillë, duke shtuar se me këtë, do të ndikojnë në shtimin e stabilitetit rajonal, paqes, dhe se njohja e Kosovës nga shtete të Botës, do të ishte çështje e mirë edhe për Serbinë./Lajmi.net/