Reagimi i FFK-së për dhunën e shfaqur në stadiume

Federata e Futbollit e Kosovës i ka parë me shqetësim incidentet e ndodhura gjatë kësaj fundjave në disa prej stadiumeve tona.

Sport

18/04/2021 19:56

Me këtë rast e dënojmë ashpër dhunën e shfaqur në ndeshjen e Ligës së Parë, Ferizaj – Ulpiana dhe në dy ndeshjet e Ligës së Dytë, Fushë Kosova – Vjosa dhe Minatori – Behari.

Për FFK-në çdo veprim i dhunshëm është i papranueshëm, pa marrë parasysh situatën dhe rrethanat. Ftojmë të gjitha organet dhe komisionet tona që gjatë ditëve në vazhdim të shqyrtojnë e të analizojnë në detaje ngjarjet e ndodhura këtë fundjavë dhe të ndërmarrin masat e duhura ndaj të gjithë të përfshirëve në këto skena të pahijshme.

Po ashtu, u bëjmë thirrje edhe organeve të rendit dhe të drejtësisë që të veprojnë në parandalimin dhe ndëshkimin e të gjithë atyre që shfaqin dhunë në fushat e gjelbra.

FFK nuk do të lejojë që disa individë të papërgjegjshëm ta dëmtojnë mbarëvajtjen e garave dhe ta prishin imazhin e mirë të futbollit tonë, të cilin e kemi krijuar me shumë mund e djersë.

Njëherësh, kërkojmë edhe nga zyrtarët tanë që punën e tyre ta kryejnë me profesionalizëm e përgjegjësi për çka edhe janë të thirrur, teksa nga klubet kërkojmë organizim të mirëfilltë dhe të mos lejojnë që në stadiume të ketë njerëz të tillë të pandërgjegjshëm.