Reagime të shumta kundër ndezjes së 1 ton fishekzjarrëve në Prishtinë, flet edhe ministria e Ambientit

Banka komerciale ‘ProCredit Bank’ ka organizuar një koncert që pritet të mbahet sonte në qendër të Prishtinës, përkatësisht në parkun brenda oborrit të Bibliotekës Kombëtare.

Lajme

14/07/2018 17:53

Pas këtij evenimenti, ku është planifikuar të performojë këngëtarja Elvana Gjata, organizatorët kanë paralajmëruar një spektakël të zhurmës e dritave, pasi do të ndizen rreth 1 mijë kilogramë fishekzjarre, shkruan lajmi.net.

Ndaj këtij veprimi të paralajmëruar për të shtunën në mbrëmje kanë reaguar disa grupe që punojnë për mbrojtjen e ambientit, asambleistë nga opozita në Prishtinë e qytetarë të ndryshëm, të cilët janë shprehur kundër një organizimi të tillë, duke thënë që fishekzjarret shkaktojnë zhurmë e dëm të madh në ambient.

Dhjetëra qytetarë, aktivist të shoqërive civile dhe ambientalist, janë mbledhur në afërsi të Bibliotekës Kombëtarë në Prishtinë, për të protestuar kundër ndezjes së fishekzjarrëve sonte në mbrëmje në koncertin e organizuar nga ProCedit-Bank, ku do të performojë këngëtarja nga Shqipëria Elvana Gjata.

Luan Hasanaj nga organizata ‘Let’s Do It Kosova’ njëri nga protestuesit, ka thënë se një sasi prej një tonësh e cila është lejuar nga MPB-ja është në kundërshtim me ligjin.

“Ligji nuk e lejon që një ton fishekzjarre të ndizen, sepse për një aktivitet civil çfarë është ky sonte ligji e lejon vetëm 10 kilogram fishekzjarre. Prandaj ne do të mundohemi ta ndalim ndezjen e tyre, sepse paraqet rrezik sepse është në afërsi të qytetit, në zonë të gjelbër dh enë afërsi të Bibliotekës Kombëtare”, ka thënë Hasanaj.Në anën tjetër, Ministria e Ambienti përmes një njoftimi për media ka njoftuar se është duke e përcjellë me kujdes reagimin e OJQ-ve mjedisore të cilat janë kundër ndezjes së fishekzjarrëve.

“Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, po e përcjellë me vëmendje reagimin e OJQ-ve mjedisore dhe palëve të tjera të interesit në lidhje me paralajmërimin se gjatë një koncerti të një banke në Prishtinë do të ndizen një sasi e konsiderueshme e fishekzjarrëve. Parimisht, MMPH është kundër secilit aktivitet që si rezultat i tij ka degradim të mjedisit dhe ndotje të ajrit. Dhënia e lejeve për përdorimin e fishekzjarrëve në Republikën e Kosovës është e rregulluar me Ligjin Nr. 04/L-022  PËR PËRDORIM CIVIL TË EKSPLOZIVËVE dhe kështu organ kompetent për dhënien e këtyre lejeve është Ministria e Punëve të Brendshme”, thuhet në njoftimin e MMPH-së.

Me tej në njoftimin e Ministrisë thuhet se “MMPH beson që gjatë dhënies së lejes për përdorimin e këtyre fishekzjarrëve  janë zbatuar të gjitha kriteret e kërkuara sipas këtij ligji, duke pasur në konsideratë edhe pasojat në mjedis”, përfundon njoftimi.

Ka reaguar edhe asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në KK të Prishtinës, Eman Rrahmani.

“Mbi një tonë eksploziv(Fishekzjarr), sot do të hidhen nga Procredit Bank në oborrin e Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë, me lejen e Komunës. Shpendi përveç që ka bllokuar dhe kolapsuar totalisht Prishtinën, tani edhe po i helmon qytetarët me leje të tilla që po përsëriten shumë shpesh. I bëjë thirrje kryetarit të pezullojë këtë leje dhe të ndaloj këtë ndezje të fishekzjarreve, që ta ruajmë shëndetin e qytetarëve të Prishtinës. Apo tashmë nuk e ka këtë fuqi për të kundërshtuar e refuzuar asnjë kërkesë që dëmton qytetarët e Prishtinës”, ka thënë Rrahmani.

Ndërsa, asambleistja e LDK-së, Fiknete Bejta ka thënë se, si këshilltare Komunale në Kuvendin e Prishtinës , shpreh shqetësimin rreth paralajmërimit për hedhjen e fishekzjarrëve në kuadër të një koncerti që do të mbahet sot brenda hapësirave të Kampusit Universitar.

“Kërkoj përgjegjësi nga Komuna dhe Policia e Kosovës nëse kanë dhënë leje për hedhjen e këtyre fishekzjarreve në një hapësirë të gjelbëruar dhe të banueshme.  Ky veprim është i rrezikshëm dhe i dëmshëm për kryeqytetin, i cili veçse ka probleme të theksuara me ndotjen. Për më tepër kujtoj këto Institucione përgjegjëse se një leje e tillë bie ndesh me tetë Rekomandimet e votuara më 1 shkurt të këtij viti në Kuvendin Komunal të Prishtinës për përmirësimin e cilësisë së ajrit në Komunën e Prishtinës dhe me Rezolutën e votuar po ashtu me 1 shkurt 2018 në Kuvendin e Kosovës e cila kërkon që ambienti të jetë prioritet për Qeverinë e Kosovës”, ka thënë ajo, duke kërkuar nga Policia e Kosovës që një leje të tillë ta revokojë dhe të merren masa që të mos lejohet hedhja e këtyre fishekzjarreve.

Po ashtu ka pasur edhe një serë reagimesh tjera. /Lajmi.net/