Reagime të dobëta nga MPJ rreth mundësisë së çnjohjes nga Çekia, ambasada largon përgjegjësinë
Numri i shteteve nga Bashkimi Evropian që s’e kanë njohur Kosovën mund të shkojë në gjashtë.
Lajme
Çekia është shteti i rradhës që e ka marrë seriozisht në konsideratë çnjohjen e Kosovës, shkruan lajmi.net.
Gjithçka nisi me deklaratat e presidentit çek, Milos Zeman në Beograd, që më pas u përcollën me reagime e kundërshtime të ashpra nga kryeministri e ministri i Jashtëm.
Nga ministria e Jashtme e Kosovës po thonë se kundërshtimet e bëra nga ministri i Jashtëm çek, e mbyllin çështjen e çnjohjes së mundshme të pavarësisë së Kosovës.
Liridon Llapashtica, këshilltar i ministrit të Jashtëm, Behgjet Pacolli për lajmi.net thotë se deklaratat e ministrit Tomas Petriçek, i japin vulë qëndrimit të Pragës karshi pavarësisë së Kosovës.
“Deklaratat e ministrit Petriçek mendoj se e mbyllin këtë çështje. Pra kur një ministër i Jashtëm thotë se konstatimet rreth çnjohjes nuk qëndrojnë, kjo çështje është e kryer”, thotë ai.
Llapashtica përmend edhe takimet e ambasadorit të Kosovës në Çeki, Arbër Vllahiu me ministrin e Jashtëm të Çekisë, që sipas tij tregojnë raportet e shkëlqyera mes dy shteteve.
Mirëpo këto raporte mund të ftohen nga momenti në moment, varësisht nga veprimet e shtetit çek karshi çnjohjes së Kosovës.
Presidenti e kryeministri i këtij shteti patën mbrëmë një takim, nga ku dolën me vendimin që për Kosovën të vendoset në një takim koordinues të akterëve të diplomacisë.
Lexo edhe:
Kjo është arsyeja pse presidenti çek i dha ‘zemër’ Serbisë me deklarata kundër Kosovës
Lidhur me këto zhvillime, lajmi.net ka kontaktuar me vet ambasadorin e Kosovës në Çeki, Arbër Vllahiun.
I njëjti nuk ka pranuar të përgjigjet në pyetjen nëse ka pasur kontakte me zyrtarët e shtetit çek, dhe nëse ka gjasa reale që tërheqja e njohjes të ndodhë.
“Ju lutëm që për të gjitha këto çështje të drejtoheni tek ministria e Punëve të Jashtme”, ka thënë Vllahiu duke mos dashur të përgjigjet.
Sidoqoftë, tendencat e presidentit çek po hasin në rezistencë të madhe nga ministria e Jashtme e Çekisë.
Ministri i Jashtëm, Tomas Petriçek, tha sot se shteti i tij nuk ka arsye ta tërheqë njohjen e Kosovës.
Sipas tij, politika e jashtme duhet të jetë e qëndrueshme dhe e arsyeshme.
Gjithçka sa i përket kësaj çështje pritet të zgjidhet në tetor të këtij viti, në takimin e ftuar nga kryeministri e presidenti. /Lajmi.net/
Lexo po ashtu: