Reagim i vonuar, por i domosdoshëm ndaj ekstremistëve xhihadistë

Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Burim Ramadani e ka vlerësuar arrestimin e dyzet personave si të dyshuar që kanë luftuar në Siri e Irak si reagim të vonuar, por të domosdoshëm ndaj ekstremistëve xhihadistë të organizatave ISIS dhe Al-Nusra.

Lajme

11/08/2014 11:34

Ramadani ka thënë se veprimet e institucioneve të sigurisë së shtetit të Kosovës janë të domosdoshme për të parandaluar çfarëdo rreziku për sigurinë kombëtare dhe jetën e pronën e qytetarëve.

Lexojeni të plotë reagimin e Ramadanit në profilin e tij në Facebook:

Të dashur miq,

Veprimet e institucioneve të sigurisë së shtetit të Kosovës janë të domosdoshme për të parandalur çfarëdo rreziku për sigurinë kombëtare dhe jetën e pronën e qytetarëve.

Veprimet e fundit të njoftuara për arrestimin e dhjetëra ekstremistëve xhihadistë të ISIS dhe Al-Nusra në Kosovë janë lajm i mirë i reagimit ë domosdoshëm të institucioneve të sigurisë.

Do të ishte shumë më mirë që qysh në fillim të mos lejohej që ky numër të rritet kështu. Hapësira politike që u është dhënë atyre nga pushtetarët që po shkojnë ka rritur domosdoshmërinë e reagimit.

Veprimet në kohë të duhur nuk do të sillnin shtetin në një situatë ku arrestohen dhjetëra të dyshuar të këtillë.

Gjithmonë dihet se kur vonohet veprimi i shtetit, çmimi për shoqërinë është më i madh!

Dyzet (40) persona të dyshuar se kanë marrë pjesë në luftimet në Siri dhe Irak përkrahë organizatave të shpallura terroriste, si ISIS dhe Al-Nusra, janë arrestuar nga Policia e Kosovës në orët e hershme të mëngjesit të sotëm. 

Arrestimi i tyre nga Policia e Kosovës është bërë nën dyshimin se kanë kryer vepra penale nga kapitulli “Veprat Penale Kundër Rendit Kushtetues dhe Sigurisë së Republikës Së Kosovës” i Kodit Penal të Kosovës.