Rasti unik i Barcelonës

Trajneri i Barcelonës, Gerardo Martino ka thënë se ekipi i tij ka një rast unik për të fituar titullin e kampionit në La Ligë, dhe ka kërkuar prej tyre që ta shfrytëzojnë atë, duke fituar dy duelet e xhirove të fundit.

Sport

10/05/2014 14:57

Trajneri i Barcelonës, Gerardo Martino ka thënë se skuadra e tij ka një rast unik për të fituar titullin e kampionit në La Ligë.

Në rrethana të papritura, gjiganti katalanështë rikthyer në garë për titull dhe do të shpallet kampion nëse fiton dy duelet e mbetura kundër Elches të dielën, dhe Atletico Madridit në Camp Nou në xhiron e fundit.

“Është një rast unik për ne, duhet ta shfrytëzojmë”, deklaroi Martino në konferencë për shtyp.

Strategu argjentinas mohoi spekulimet se dështimi për të fituar titullin e kampionit do t’i kushtojë me shkarkim nga posti. “E kam thënë edhe kohë më parë se asnjë rezultat sportiv nuk e përcakton të ardhmen time. Do të ishte njësoj edhe nëse do të fitonim ndaj Getafes dhe do të jetë njësoj edhe pas ndeshjeve me Elchen dhe Atletico Madridin”, u shpreh ai.

“I kemi të gjitha opsionet për të fituar La Ligën dhe nuk mendoj se dy ndeshje më pak ose dy ndeshje më shumë mund të shërbejnë si analizë për punën që kemi bërë”, theksoi Martino.