Rasti “Toka”, dëshmitari thotë se ende e shfrytëzon pronën që e kishte blerë mbi 100 mijë euro

Dëshmitari Naser Abazi ka deklaruar se ende e ka në shfrytëzim pronën të cilën e kishte blerë nga familja Steviq, në vendin e quajtur Llapnasellë.

Lajme

12/12/2019 14:00

Këtë deklaratë, dëshmitari e ka dhënë në seancën e së enjtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin e rastit “Toka”, ku për vepra të ndryshme penale që lidhen me krimin e organizuar akuzohen ish-deputeti i PDK-së, Azem Syla dhe 17 persona tjerë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktakuzës, toka e familjes Steviq, gjendej në Llapnasellë dhe se kjo tokë ishte marrë nga familja përmes një kontrate të shitjes në vitin 1963 me Kombinatin Bujqësor Industrial (KBI), ndërsa parcela i ishte kthyer familjes, përkatësisht trashëgimtarëve Novka, Vukashin, Goroljub, Gordana dhe Lejena Steviq, në tetor të vitit 1993, me aktgjykim, për të cilën të akuzuarit po dyshohen se nga kjo familje kishin blerë aktgjykimin.

Sipas prokurorisë, ky gjykim fokusohet në parcelat e tokës për të cilat titullari i së drejtës pronësore ishte mbajtur nga tri familje të cilat kishin qenë shënjestër e grupit të organizuar kriminal, ku njëra prej këtyre familjeve kishte qenë familja Steviq.

Dëshmitari Naser Abazi, ka thënë se në vendin e quajtur Llapnasellë, ai dhe familja e tij kishin blerë një pronë në sipërfaqe 21.57 ari, nga familja Steviq, i autorizuari i të cilëve tha se kishte qenë Edvard Gashi, por tha se vëllai i tij i ndjerë kishte qenë i angazhuar për procedurën e bartjes së pronësisë.

Dëshmitari Abazi tha se kur ishte blerë prona nuk kishte qenë i pranishëm, por kishte qenë prezent vetëm kur ishte bërë pagesa përmes llogarisë bankare.

Sipas tij, fillimisht për këtë pronë në ditën kur e kishin lidhur kontratën në gjykatë, përmes bankës kishin bërë pagesën prej 100,000 euro, ndërsa të nesërmen kishin paguar edhe rreth 7.900 euro të tjera.

Vëllai i tij i ndjerë tha se i kishte treguar se më të autorizuarin e familjes Steviq, Evdard Gashin kishin rënë në kontakt në “Hib Petrol”, në Çagllavicë.

Ai tha se nuk e njeh asnjërin nga të akuzuarit dhe se as nuk kishte pasur kontakte me ta, ndërsa për pronën në fjalë tha se ende e shfrytëzojnë.

Ndryshe, për këtë seanca gjykata nuk kishte mundur të sigurojë prezencën e dëshmitarëve Enver Qoqaj dhe Mehmet Nuredini, për të cilët prokurori special Naim Abazi ka kërkuar nga gjykata që edhe njëherë të bëjë përpjekje që dy dëshmitarët t’i sigurojë për seancën e radhës.

Po ashtu, prokurori Abazi ka hequr dorë nga dëgjimi i dëshmitarit Idriz Kadriu, ndërsa ka propozuar që të ftohet dëshmitari Muharrem Kadriu i cili kishte dhënë deklaratë në prokurori në korrik 2017.

Por propozimin e këtij dëshmitari e ka kundërshtuar mbrojtësi i Azem Sylës, avokati Besnik Berisha, me arsyetimin se në këtë fazë të procedurës nuk ishte koha për prova të reja dhe se kjo çështje penale po zvarritet si rezultat i neglizhencës së prokurorisë që gjatë fazës së hetimeve të precizojë saktë se cilin dëshmitar, cilën provë dhe të sigurojë adresat e dëshmitarëve.

Edhe mbrojtësja e Shaban Sylës, avokatja Adelina Hoxha-Shabani ka thënë se propozimi i prokurorisë që të ftohet dëshmitari Muharrem Kadriu ishte i palejuar, pasi sipas saj prokurori që në kohën e hetimeve, para ngritjes së aktakuzës kishte qenë e njoftuar për këtë dëshmitar, ndërsa tha se prokuroria kishte të drejtë të paraqes dëshmitarë vetëm kur ishin paraqitur rrethana të reja.

Dëgjimi i dëshmitarit Enver Qoqaj, sipas avokates Hoxha-Shabani ishte i kundërligjshëm pasi sipas saj, ky dëshmitar ishte njoftuar nga prokuroria se në rast të ndërrimit të vendbanimit të lajmërojë institucionin përkatës, e krejt për të mos e inkriminuar vetveten.

Me kundërshtimet e avokateve Besnik Berisha dhe Adelina Hoxha-Shabani janë pajtuar edhe mbrojtësit e 15 të akuzuarve të tjerë.

Mirëpo, prokurori Abazi tha se pretendimet e mbrojtjes ishin të padrejta ngase në seancat e kaluara vet mbrojtja kishte propozuar dëshmitar në këtë fazë të procedurës, prandaj sipas tij prokuroria kishte edhe më shumë arsye që të ftoi dëshmitarin Muharrem Kadriu, pasi i njëjti kishte dhënë deklaratë në prokurori, mirëpo për shkaqe teknike nuk ishte propozuar.

Trupi gjykues i udhëhequr nga gjykatësi Beqir Kalludra, ka aprovuar propozimin e prokurorit Abazi për dëgjimin e dëshmitarit Muharrem Kadriu, me arsyetimin se nga dëshmia e dëshmitarit Sherif Salihu i propozuar nga mbrojtja, kishin dalë rrethana të reja të cilat mund ti sqarojë dëshmitari Muharrem Kadriu.

Ndërsa, në lidhje me dëshmitarin bashkëpunues për të cilin gjykata nuk kishte mundur të sigurojë prezencën e tij përmes bashkëpunimit juridik ndërkombëtar, si dhe dëshmitarëve Zharko Vujoviq, Vllazho Vujoviq, Suciqa Seimiq, Marina Milanoviq dhe Senka Radeviq -Sariq, të cilët janë propozuar nga prokuroria për tu dëgjuar përmes video-linkut nga Republika e Serbisë dhe të cilët kishin dhënë deklarata të mëhershme, prokurori Abazi propozoi të lexohen deklaratat e tyre.

Ndërkaq, për dëshmitarët e propozuar që të dëgjohen përmes video-linkut, por të cilët nuk kishin dhënë deklarata në fazat e mëhershme dhe gjykata nuk kishte mundur të sigurojë prezencën e tyre, prokurori Abazi ka hequr dorë nga dëgjimi i tyre.

Pasi me propozimin e prokurorit Abazi janë pajtuar edhe mbrojtja e të akuzuarve, trupi gjykues ka aprovuar propozimet e tij që të lexohen të gjitha deklaratat e dëshmitarëve të dhëna në fazat e mëhershme, si në fazën e zhvillimit të procedurës paraprake ashtu edhe në fazën e mundësisë hetuese të veçantë.

Seanca e radhës pritet të mbahet me 17 dhjetor 2019, në ora 09:00.

Ndryshe, ky shqyrtim nga fillimi i gjykimit është karakterizuar me zvarritje, në masën më të madhe, në kohën që gjykohej nga gjykatësit e EULEX-it.

Më 12,13 dhe 15 dhjetor të vitit 2016, ishte mbajtur seanca fillestare, në të cilin Azem Syla dhe të tjerët ishin deklaruar të pafajshëm për veprat penale me të cilat ngarkohen.

Pas seancave fillestare, mbrojtja brenda afatit prej 30 ditësh, kishte paraqitur kundërshtimet e tyre për provat dhe kërkesat për hedhjen e aktakuzës.

Kryetari i atëhershëm i trupit gjykues, gjykatësi Arkadiusz Sedeck, pasi kishte pranuar kundërshtimet e mbrojtjes, kishte refuzuar të njëjtat dhe më 4 prill 2017, kishte konfirmuar aktakuzën në shkallën e parë, ndërsa pas ankesave në Gjykatën e Apelit, shkalla e dytë e kishte konfirmuar aktakuzën më 26 tetor 2017.

Sedeck, fillimin e shqyrtimit gjyqësor e kishte caktuar, pas më shumë se një viti nga vendimi i Apelit, më 9 janar 2018, por e njëjta kishte dështuar për shkak të mosplotësimit të trupit gjykues.

Edhe pse kishte caktuar shumë seanca të tjera, gjyqtarët e EULEX-it nuk kishin mundur që të fillojnë këtë shqyrtim, pasi EULEX-i hoqi dorë nga ky rast dhe lënda kaloi të gjyqtari vendor Beqir Kalludra.

Ndërsa, pas disa dështimesh seanca e parë e këtij shqyrtimi ishte mbajtur më 3 shtator 2018, ndërsa fjala hyrëse në këtë rast ishte dhënë në seancën e 25 qershorit 2019.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur dy aktakuza, njëra me 17 persona dhe tjetra me 22 persona, ku në këtë të fundit, që ishte ngritur më 24 tetor 2016 përfshihet edhe ish-deputeti i PDK-së Azem Syla, që sipas PSRK-së, ai kishte qenë edhe udhëheqës i këtij grupi.

Bashkë me Sylën, në këtë proces janë duke u gjykuar edhe Shaban Syla, Arton Vila, Fahredin Gashi, Shpresim Uka, Ramadan Uka, Avdurrahman Brajshori, Gazmend Gashi, Lubisha Vujoviq, Sabedin Haxhiu, Avni Maxhuni, Elhame Uka, Lumnije Sopjani, Nyrtene Brajshori, Sami Maqedonci, Ndue Palushi, Ramadan Mavraj.

Pjesë e kësaj aktakuze kanë qenë edhe Nuhi Uka, Shqipe Maxhuni, Ilaz Syla, Mustafë Haliti dhe Hajrullah Berisha, por për dy të parët është pushuar procedura pasi ata kanë ndërruar jetë, ndërsa për shkak se gjykata nuk ka arritur të siguroi prezencën e Ilaz Sylës, Mustafë Halitit dhe Hajrullah Berishës, për të njejtit është vecuar procedura.

Aktakuza i ngarkon të pandehurit me vepra penale “krim i organizuar”, “pastrim i parave”, “marrje të mitos”, “mashtrim i rëndë”, “mashtrim në detyrë”, “nxjerrje të vendimeve gjyqësore të kundërligjshme”, “keqpërdorim i pozitës zyrtare”, “legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar” dhe “evazion fiskal”.

Gjithashtu, të pandehurit akuzohen se në bashkëpunim, përmes veprimtarive kriminale i kanë privuar Kosovës pronat shoqërore, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve zyrtare, mashtrim dhe veprime tjera korruptive.

Hetimet në këtë rast ishin bërë edhe në bashkëpunim me Prokurorinë e Lartë për Krim të Organizuar në Beograd.