Rasti Sopoti, pa prova i dënuan 11 shqiptarë me 156 vjet burg

Një bisedën e përgjuar telefonike, që sipas përfaqësuesve të LSDM-së, zhvillohet mes ministres së Brendshme, Gordana Jankullovska, dhe shefit të shërbimit sekret, Sasho Mijallkov, nxirren në dritë të dhëna të reja për rastin e njohur gjyqësor “Sopoti”.

Lajme

23/04/2015 21:48

Në materialin audio të prezantuar këtë të enjte, zëri, të cilin opozita pretendon se është i ministres së Brendshme, dëgjohet duke thënë se nuk ekzistojnë prova për vendimin e gjykatës, me të cilin u dënuan 11 shqiptarë në këtë çështje gjyqësore.

Sasho Mijallkov: Tanët e kanë dëshmuar duke i rrahur…

Gordana Jankullovska: Po, po. Realisht nuk kishte diçka… Ti e ke të qartë, nëse nuk merremi vesh të japim diçka. Unë nuk jap asgjë, kushdo që të jetë, por realisht më kujtohet se edhe në librin e shënimeve kishte diçka që mungonte, nuk ishte shënuar, pra është dëshmuar ashtu siç thua, duke i rrahur.

Me tutje, në këtë bisedë bashkëbiseduesit konfirmojnë se vendimi gjyqësor në rastin “Sopoti” ka qenë temë e bisedave me partinë shqiptare BDI.

Bashkëbiseduesit dëgjohen duke u konsultuar për mënyrën se si mund t’u falej shqiptarëve pjesa e mbetur e dënimit, pa u shpallur të pafajshëm, pasi në atë mënyrë do të diskreditohej sistemi gjyqësor.

Zëri, për të cilin opozita thotë se është i ministres së Brendshme, dëgjohet duke thënë se partia e Ali Ahmetit nuk është e brengosur për fatin e shqiptarëve që kanë mbushur burgjet e Maqedonisë, por kërkon lirimin e të dënuarve në rastin “Sopoti” vetëm për të përfituar politikisht.

Gordana Jankullovska: Ata nuk brengosen për ndonjë shqiptar. Burgjet janë të mbushura me shqiptarë. Ata dëshirojnë të përfitojnë politikisht. E kanë me rendësi 13 gushtin, për shkak të Marrëveshjes së Ohrit. Gjithmonë në këtë periudhë na shkaktojnë probleme të tilla.

Në procesin e njohur gjyqësor “Sopoti”, 11 shqiptarë u dënuan me 156 vjet burg. Ata u shpallën fajtorë për vendosjen e një mine në vitin 2003, në fshatin Sopot të Kumanovës, ku mbetën të vrarë dy ushtarë polakë të forcave të NATO-s dhe një shoqërues civil. 6 prej personave të dënuar kanë vuajtur mbi 7 vjet burg, ndërsa 5 prej të akuzuarve u dënuan në mungesë. /Top Channel/