Rasti i Rugovës mund të shkojë në Kushtetuese

Riarrestimi i Ukë Rugovës mund të përfundojë në Gjykatën Supreme. Nëse edhe aty nuk gjen zgjidhje, rasti mund të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese.

Lajme

08/07/2014 20:46

Avokati mbrojtës i Ukë Rugovës, Boshtjan Penko, në emisionin Rubikon të KTV-së, ka insistuar se riarrestimi i klientit të tij ka qenë kundërkushtetues.

“Tash po e përgatis kërkesën për mbrojtje legale, ku do të parashtroj këtë pyetje në Gjykatën Supreme dhe, nëse nuk kemi sukses, atëherë do t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese me apel kushtetues dhe shpresoj që në fund, brenda sistemit legal të Kosovës, do të arrijmë deri te përgjigja finale, e cila do të jetë pozitive, përkatësisht se ky paraburgim nuk ishte kushtetues dhe se kjo është dashur të respektohej edhe nga Prokuroria”, ka thënë ai.

Ndërkaq, avokati  Tomë Gashi ka thënë se me riarrestimin e Rugovës ai është “dënuar”. Ai mendon se praktika e paraburgosje së dikujt me qëllim të hetimit të tij është një “praktikë e mbrapshtë” që po bëhet në Kosovë.

“Ai është i dënuar me vet faktin e mbajtjes së tij në paraburgim, sepse në Kosovë është bërë si një rregull shumë e mbrapshtë që dikush të paraburgoset për tu hetuar e jo që dikush të hetohet për tu paraburgosur. Në këtë rast paraburgimi ndaj Ukë Rugovës dhe të tjerëve është  duke u përdorur si dënim i tij”.

Ndërkaq, bashëkpuntori i ngushtë i Ukë Rugovës dhe ish-ministri i Kulturës, Astrit Haraqija mendon se Rugova vetëm ka “suportuar” viza dhe se nuk ka nënshkruar dokumente.

“Në shumë raste kemi suportuar për viza, edhe unë si ministër i Kulturës e kam bërë një gjë të tillë, iu kam dhënë njerëzve viza në Gjakovë dhe në Prishtinë. Edhe unë nuk e di nëse Ukë Rugova ka nënshkruar viza, a ka nënshkruar dokumente, ai ka suportuar dhe është normale një gjë  e tillë”.

Sipas Haraqisë, arrestimi dhe riarrestimi i Ukë Rugovës është tipik politik dhe kjo ju ka konvenuar jo vetëm strukturave të LDK-së, por edhe të PDK-së dhe AAK-së, për arsyen e vetme që familja Rugova ka elektorat.