Rasti i parë me koronavirus në Tetovë, i moshuari i paralizuar s’dihet si u infektua

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, gjatë prononcimit për mediet sot foli edhe për rastin e parë me koronavirus në Tetovë.

Lajme

26/03/2020 19:53

Ai tha se pacienti në fjalë është i paralizuar dhe nuk dihet si mund të ketë rënë në kontakt me virusin.

Filipçe shpjegoi vetëm intenerarin që ka pasur ky pacient.

Sipas ministrit, pacienti nga data 9 deri më 23 mars ka qenë i shtruar në Entin e Rehabilitimit në Kapishtec, Shkup, më pas është dërguar në Tetovë, por për shkak të rritjes së temperaturës i është bërë një test për koronavirus dhe ka dalë pozitiv, më pas nëpërmjet repartit infektiv të Tetovës është dërguar për kurim në Klinikën Infektive në Shkup, raportojnë mediet në Maqedoninë e Veriut.

Ministri, po ashtu, tha se sot kanë punuar në mënyrë intensive në Tetovë për të identifikuar personat që mund të ketë infektuar pacienti në fjalë dhe deri më tani janë testuar 14 mjekë me të cilët pacienti ka pasur kontakt gjatë terapisë fizikale.