Rasti Geci: Prokurorja Badivuku mohon se është e ndikuar apo e kërcënuar
Një prokuror tjetër i Prokurorisë Themelore të Mitrovicës do të duhej të hetonte rastin e vrasjes që kreu Gani Geci.
Lajme
Por, radha e tij u tejkalua dhe rasti u mor përsipër nga prokurorja Vahide Badivuku, për çka ajo po hetohet.
KTV-ja ka mësuar nga burime të afërta me hetimet që po zhvillohen ndaj saj se rasti i vrasjes do të duhej t’i caktohej një prokurori tjetër që ishte në radhë, por ai u tejkalua dhe rasti iu dha prokurores Vahide Badivuku.
Caktimi i lëndëve bëhet në bazë të një procedure standarde. Prokurorët kanë numra të tyre dhe pastaj në bazë të tyre dhe në mënyrë rendore, Administrata e Prokurorive ua cakton lëndët.
I vetmi koment që ka pasur prokurorja Badivuku është se është e kënaqur me procedurën disiplinore që ka nisur ndaj saj.
Ajo ka thënë për televizionin se është e rëndësishme që të qartësohet rasti, që sipas saj, është i gjithi në përputhje me ligjin, përcjell koha.net. Zyra e Prokurorit Disiplinor të enjten ka nisur procedurë ndaj Prokurores, e cila ka hetuar rastin e vrasjes së kryer nga Gani Geci dhe ka ngritur aktakuzën ndaj tij.
Badivuku, prokurore në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës, po hetohet për mundësinë e ndonjë ndikimi, qoftë brenda këtij institucioni apo jashtë.
Por, ajo nuk pranon të ketë pasur ndërhyrje, kërcënim apo presion për veprimet e ndërmarra për rastin. Për veprimet e Badivukut është ankuar edhe Shkumbin Mehmeti, i dënuar për vrasjen e dy policëve, njëri i UNMIK-ut e tjetri i Kosovës, i cili është përmendur në aktakuzë.
Ai gjithashtu është dëshmitar bashkëpunues i EULEX-it, raporton KTV.