Rashiq pro kërkesës për dorëheqjen e Jabllanoviqit

Deputeti i komunitetit serb në Kuvendin e Kosovës, Nenad Rashiq, i ka dhënë të drejtë protestave, përmes të cilave kërkohet dorëheqja e ministrit për Kthim dhe Komunitete dhe bashkëkombasit të tij, Aleksandar Jabllanoviq. 

Lajme

29/01/2015 18:12

Kreu i Partisë Progresiste Demokratike serbe (PPD) në një intervistë për Info Magazine të Klan Kosovës, ka thënë se është prekur nga pamjet e krijuar gjatë protestës së 27 janarit. Sipas tij, pamjet e dhunës të paraqitura në media, dëmtojmë imazhin e Kosovës.

“Kam qenë i shqetësuar për shkak të rrethanave që kanë ndodhur në protesta. Shpresoj dhe apeloj që të gjithë ata pjesëmarrës të protestave demokratike mos të lejojnë të ndodhë kjo edhe njëherë”.

“Është një pamje e keqe për Kosovën që nuk mund ta lejojmë ne qoftë si politikanë apo edhe si qytetarë”.

“Protestat janë normale. Bazuar në gabime apo në punë që ka bërë një ministër. Forma është e njëjtë, keni të drejtë të protestoni dhe të kërkoni nga organet kompetente dorëheqjen e tij”.

Ndërsa, lidhur me kërkesën për kthimin e pronësisë së kombinatit Trepça të shteti i Kosovës, Rashiq ka thënë se kjo çështje duhet të futet në bisedime të Brukselit.

Ai madje, ka propozuar një ide për krijimin e një arbitrazhi ndërkombëtar për të zgjidhur problemin e këtij kombinati.

“Sa i përket Trepçës, aty do të jetë një sfidë komplekse. Nuk mund të zgjidhet as nga ana e Kosovës e as Serbisë. Trepça ka një borxh të madh, dhe ajo së pari duhet t’i paguaj borxhet që ka rreth 1.4 milion”.

“Zgjidhja duhet të jetë në Bruksel, atje do të ketë ndonjë sugjerim. Duhet të krijojmë një arbitrazh. Arbitrazh po ashtu mund të ketë një grup të ekspertëve, ku mund ta drejtojnë negociatën në formë të zgjidhjes së problemeve. Nëse dështojnë, kjo mbetet midis nesh, e cila do të bëhet një epope”.

Ndërkohë, Rashiq ka kritikuar përfaqësuesit e Listës Serbe se po zbatojnë politikat e Beograd dhe jo interesat e serbëve të Kosovës.

“Dihet që Lista Serbe është një mekanizëm nga Beogradi. Ata veprojnë sikur të jetojnë në Beograd. Dhe mekanizmat e Beogradit shkojnë në favor të Beogradit. Serbët e Kosovës duhet të jenë autoktonë”.

Duke folur për figurën politike të Albin Kurtit, Rashiq ka thënë se e respekton fuqinë e tij intelektuale, por i ka propozuar VV-së që të modelojnë politika me më shumë frymë europiane.

“Konsiderojë që Vetëvendosje ka qenë gjithnjë një parti me fuqi intelektuale dhe është për respekt. Por duhet t’i modelojnë ato politika me frymë me europiane, sepse vetëm kjo mund të na sjellë një të ardhme të qetë”.

“Unë apeloj te zotëri Kurti që të bëjnë krejt çka kanë në fuqi të tyre që ta ndalojë një dhunë eventuale. Për çdo rast të bëjmë përpjekje të gjithë ne. Sepse kjo shkon në disfavor të të gjithë qytetarëve të Kosovës. Unë e përkrah protestën si një akt demokratik, por protesta paqësore siç kemi pasur edhe shumë herë para kësaj”.