Raptors fitojnë edhe ndeshjen e katërt finale ndaj Warriors, tash vetëm një hap larg titullit kampion

Skuadra e Toronto Raptors janë vetëm një hap larg që të thyejnë dominimin e Golden State Warriors.

Sport

08/06/2019 07:51

Në ndeshjen e katërt të serisë finale, Raptors kanë arritur që të mposhtin skuadrën e Golden State me rezultatin 105:92, në një ndeshje ku shkëlqeu Kawhi Leonard, shkruan lajmi.net.

Leonard regjistroi ‘double – double’ duke shënuar 36 pikë dhe duke regjistruar edhe 12 kërcime për fitoren e veriorëve.

Në anën tjetër, rikthimi i Klay Thompson nuk ishte i mjaftueshëm për skuadrën kampione në fuqi, pasi ata nuk ia dolën të bëjnë diçka më shumë ndaj Torontos.

Kthesa e madhe në këtë takim u bë në çerekun e tretë, kur Raptors po ndiqnin skuadrën e Warriors me 11 pikë.

Veriorët shënuan plotë 36 pikë në këtë fazë të lojës, për të rikthyer gjithçka në favorin e tyre.

Mbetet të shihet se si do të rrjedhin gjërat në ndeshjen e pestë, e cila mund të jetë edhe e fundit e kësaj serie të finaleve. Gjendja fizike e Kevin Durant do të luajë rrol të madh.

Gjithsesi, Raptors tashmë kanë nevojë për vetëm një fitore që të stolisën me titullin e kampionit. /Lajmi.net/