Raporton Catherine Ashton

Catherine Ashton prezanton nesër para shefave të diplomacisë së vendeve të BE’së raportin e hollësishëm mbi përparimin e normalizimit të marrëdhënieve midis Prishtinës dhe Beogradit.

Lajme

16/12/2013 10:20

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton, do të paraqes nesër, në mbledhjen e Këshillit për Çështje të Përgjithshme, raportin e hollësishëm mbi përparimin e normalizimit të marrëdhënieve midis Prishtinës dhe Beogradit.

Ashton raportin e saj për zbatimin e marrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë, të arritura në bisedimet e Brukselit, të ndërmjetësuara prej saj, do ta paraqes në fillim të mbledhjes para shefave të diplomacisë së vendeve të BE’së.

Mësohet se Ashton do të propozojë edhe kornizën negociuese ndërmjet dy vendeve.

Shefat e diplomacisë së vendeve të Bashkimit Evropian, gjatë takimit dy ditor, që do të nisë nesër, do të diskutojnë edhe rreth raportit mbi punën e EULEX’it në Kosovë, po ashtu dhe rreth saktësimit të datës për fillimin e negociatave midis Serbisë e BE’së.

Mediat e Beogradit raportojnë me optimizëm se pavarësisht  nga rrjedha e bisedimeve me Kosovën, Serbisë do t’i caktohet data e fillimit të negociatave për aderim në BE.

“Raporti i Ashton-it s’mund të jetë ideal nëse nuk arrihet marrëveshja me Prishtinën rreth gjyqësorit në Kosovë, por nuk do të jetë negativ, sepse pala serbe nuk është fajtore për mungesën e marrëveshjes”, -është shprehur, disa ditë më parë, kryeministri serb, Ivica Daçiç.

Vendimi i Këshillit të Ministrave të BE’së do të komunikohet zyrtarisht të martën, por atë duhet ta konfirmojnë edhe shefat e shteteve anëtare të BE’së.