Raporti zyrtar: Kosova nuk e rrezikon asnjë metër katror në demarkacionin me Malin e Zi

“Kufiri ndërmjet Republikës së Kosovës me Malin e Zi fillon prej trekufirit Kosovë, Shqipëri dhe Mal i Zi, me lartësi mbidetare 2366 metra dhe vazhdon deri te trekufiri tjetër Kosovë, Mal i Zi dhe Serbi, në lartësi mbidetare 2155 metra”, kështu e përkufizon draft-raporti i Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror Kosovë-Mal i Zi, të cilin e ka siguruar KosovaPress, demarkacionin me Malin e Zi.

Lajme

04/06/2015 19:37

Ky raport, i cili është hartuar në muajin e kaluar, për debatin e ngritur gjatë muajve të fundit, thotë se është ngritur nga njerëz të caktuar të cilët po mundohen të bëjnë politikë me të, por që kjo është një temë me të cilën as nuk mund të bëhet politikë ditore dhe as nuk mund të bëhet patriotizëm, sepse kjo është një çështje që duhet trajtuar publikisht nga profesionistët mbi bazën e dokumentacionit relevant.

“Kufijtë e Kosovës janë të përcaktuar me Kushtetutën e Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës (KSAK) të vitit 1974, sipas së cilës, kufijtë administrativë brenda RSFJ janë shndërruar në kufijtë ndërkombëtarë dhe kjo është duke u zbatuar në këtë proces”, shkruan në këtë draft-raport përshkrues i demarkacionit me Malin e Zi, sipas të cilit, shumë vende të botës kanë paqartësi të kufijve rreth territorit të kontestuar, por Kosova ka pasur përherë qartësi të kufijve dhe me përjashtim të Serbisë, asnjë vend tjetër në rajon nuk ka ndonjë kontest kufitar me Kosovën.

 

“Madje, në këta kufij të gjitha shtetet fqinje e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Prandaj, pavarësisht pretendimeve të Serbisë për korrigjim të kufijve, një gjë e tillë nuk ishte pranuar as nga Komisioni i Badinterit”, thuhet në këtë informatë zyrtare.

E, për ndryshimet e supozuara se ka shmangie nga kufiri i vitit 1974, në këtë raport thuhet se këto nuk janë të dokumentueshme me dokumente përkatëse legale, politike e historike.

“Retorika folklorike nuk bën punë në këtë çështje, përkundrazi dëmton realizimin e detyrës institucionale të palës kosovare. Ky komision nuk mund të shndërrohet në instrument për plotësimin e dëshirave personale”, thuhet në këtë qarkore informative, si përgjigje ndaj disa deklaratave të politikanëve nga rajoni i Dukagjinit.

“Komisionet e ngritura nga dy qeveritë, duhet të shënjojnë vijën kufitare në mes tyre, në kufijtë e dikurshëm administrativë, krahinorë e republikanë të cilët shndërrohen në kufij shtetërorë, që do të pranohen ndërkombëtarisht”, thuhet në raportin e siguruar nga KosovaPress.

Më tej, sipas raportit, komisioni gjatë procesit të shënjimit të vijës kufitare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, ka pas në konsideratë kujdesin maksimal ndaj pronave në zonën kufitare, duke kërkuar nga secili pretendues të bëjë kufizimin e pronës në terren sipas dokumentacionit që ka dhe se disa herë ka mbajtur takime edhe me banoret e zonës kufitare për të shqyrtuar shqetësimet e tyre.

“Pronat e qytetarëve nga komuna e Junikut, Deçanit dhe Istogut në territorin e Malit të Zi për të cilët kishte dokumentacion janë përkufizuar atje. Tani ata i kanë pronat në pronësi dhe janë duke i shfrytëzuar pa asnjë pengesë”, thuhet në këtë raport, i cili thotë se shënjimi dhe mirëmbajtja e kufirit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi bëhet në pajtim me marrëveshjen ndërkombëtare. “ Marrëveshja ndërkombëtare është pakoja e Ahtisari 2007, Aneksi VIII, Sektori i Sigurisë në Kosovë, Neni 3 alineja 2. Kufiri i KSAK 31 Dhjetor 1988. Kjo vijë kufitare sipas Pakos së Ahtisarit dhe në bazë të deklaratës mbi shpalljen e pavarësisë së Kosovës, me 17 shkurt 2008, është në përputhje të plotë me Kushtetutën e vitit 1974. Kjo përputhshmëri e të dhënave për vijën kufitare në periudhat e lartcekura vërtetohet në bazën e të dhënave në Kadastrin dhe në Arkivin e komunës se Pejës, si dhe në bazën e të dhënave në Agjencionin Kadastral të Kosovës. Këtë përputhshmëri e kanë të vërtetuar edhe qytetaret e interesuar në këto institucione”, shkruan raporti, transmeton KosovaPress.

Sipas tij, kufiri i përgjithshëm/vija kufitare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi është 79,6 kilometra e gjatë, e cila njëherësh është edhe vija me e shkurtër nga të katër shtetet fqinje, me të cilat kufizohet Republika e Kosovës.

“Çdo deklaratë, nga kushdo, do të duhej të mbulohej me dokumentacion relevant zyrtar, të cilat komisioni i mirëpret për trajtim”, shkruhet më tej, duke theksuar se gjatë gjithë procesit trevjeçar janë marrë për bazë të dhënat zyrtare kadastrale, hartat topografike, atlaset e ndryshme, skicat, hulumtimet nga terreni, si dhe janë bërë edhe matje nga komisionet shtetërore.

“Veçanërisht është diskutuar me kryetarin e komunës se Pejës, ish-kryetarin e komunës Ali Berisha dhe tani me kryetarin aktual Gazmend Muhaxheri, si dhe me ekipet e tyre për vijën kufitare, të cilin e menaxhojnë dhe e posedojnë dokumentacionin në kadastrën e Pejës”, shkruan në raport, transmeton KosovaPress.

Në këtë raport, Komisioni Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror, i udhëhequr nga Agjencia Kadastrale e Kosovës, garanton që Republika e Kosovës nuk e rrezikon asnjë metër katror të sipërfaqes se saj.