Raporti i inteligjencës së NATO-s i bazuar në thashetheme të LDK-së

Raporti i inteligjencës së NATO-s, botuar ditëve të fundit në një media të vendit, është i përpiluar në bazë të thashethemeve të LDK-së dhe gazetës së saj Bota Sot, në vazhdimësi që nga paslufta, me shpifje kundër njerëzve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kështu i është përgjigjur ministri i Drejtësisë Hajredin Kuçi akuzave të kandidatit për deputetë të LDK-së Haki Demolli, për përfshirje në krim të organizuar të njerëzve të PDK-së, bazuar në shkrimet e botuara së fundi. 

Lajme

31/05/2014 23:03

Kuçi i ka sugjeruar Demollit që një jurist nuk duhet të merret me shkrime të gazetave, por nëse ka dëshmi për ndonjë krim, t’i drejtohet prokurorisë. 

Debati mes tyre në RTK, ka qenë goxha i ashpër, sa kur është diskutuar për çështje të caktuara jurike, siç është prezumimi i pafajësisë, ministri Kuçi, i ka thënë ish ministrit Demolli, se është e turpshme që dikush që u ligjëron studentëve të juridikut, të mos i dijë gjërat elementare që kanë të bëjnë me drejtësinë. 

Ndërsa kryetari i këshillit kombëtarë Nisma për Kosovën, ish kryeparlamentari Jakup Krasniqi, në këtë debat ka akuzuar partitë politike, se ndikojnë që në institucionet e pavarura, të zgjidhen persona politik. Ai ka thënë se Nisma do ta ndërpres këtë dukuri e cila dëmton funksionimin e këtyre institucioneve me rëndësi vitale për shtetin. 

Korab Sejdiu nga Aleanca Kosova e Re, ka thënë se programi i tyre për sistemin e drejtësisë, rëndësi do t’i kushtojë, prokurimit publik, i cili do të jetë elektronik, si kusht për të ndikuar në zvogëlimin e korrupsionit. 

Avni Zogjani nga Vetëvendosje, ka thënë se sistemi i drejtësisë nuk reformohet duke ua rritur pagave. Sipas tij, asnjë pagë nuk mund t’i krijojë dikujt pasuri deri në 2 milion euro, e në Kosovë ka gjyqtarë të tillë.