Raporti i IKD-së: Qeveria ende ka mangësi të theksuar në raport me transparencë

Në kuadër të “Javës kundër Korrupsionit” Instituti i Kosovës për Drejtësi sot ka publikuar dy raporte “(Mos) Transparenca e Qeverisë’’ dhe ‘‘(Mos) Transparenca në Ndërmarrjet Publike”. Sipas këtyre raporteve thuhet se Qeveria e Kosovës ende nuk ka arritur standardet minimale të transparencës, ndërsa edhe Zyra e Presidentes, por edhe Kuvendi ka mungesë të transparencës në…

Lajme

06/12/2022 15:38

Në kuadër të “Javës kundër Korrupsionit” Instituti i Kosovës për Drejtësi sot ka publikuar dy raporte “(Mos) Transparenca e Qeverisë’’ dhe ‘‘(Mos) Transparenca në Ndërmarrjet Publike”.

Sipas këtyre raporteve thuhet se Qeveria e Kosovës ende nuk ka arritur standardet minimale të transparencës, ndërsa edhe Zyra e Presidentes, por edhe Kuvendi ka mungesë të transparencës në raport me kërkesat për qasje në dokumente publike.

Sa i përket ndërmarrjeve publike, raporti i IKD-së thotë se ndërmarrjet publike funksionojnë në mungesë të plotë të transparencës në raport me publikun.

Hulumtues i IKD-së, Gëzim Shala u shpreh se për Zyrën Presidentes, por edhe për Kuvendin e Kosovës problematike është trajtimi i kërkesave për qasje në dokumente publike.

Raporti thotë se në shumicën e rasteve e drejta për qasje në dokumente publike është mundësuar pas inkuadrimit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi (AIP).

“Zyra e Presidentes i ka të publikuara të dhënat bazë dhe të dhënat tjera që kërkohen sipas ligjit, por problematike në këtë rast është se në faqen zyrtare të Zyrës së Presidencës nuk ka të dhëna mbi zyrtarin për qasje në dokumente publike… Si problematike del të jetë trajtimi i kërkesave për qasje në dokumente publike. Sipas të dhënave të Agjencisë për Informim dhe Privatësi në 10 raste Zyra e presidentes nuk ka kthyer përgjigje brenda afatit ligjor, derisa në 10 rastet tjera përgjigjja është mundësuar vetëm pas vendimit të AIP-së. Kuvendi i Kosovës, po ashtu, i ka të publikuara të gjitha të dhënat që kërkohen sipas ligjit, por problematike në këtë rast prapë del të jetë trajtimi i kërkesave për qasje në dokumente publike, ku del se në 4 raste sipas të dhënave të AIP-së nuk është kthyer përgjigje brenda afatit të përcaktuar me ligj, ndërsa në 3 raste të tjera kjo është bërë vetëm pasi Agjencia e ka njohur këtë të drejtë”, theksoi ai.

Sa i takon Qeverisë së Kosovës, raporti thotë se Zyra e Kryeministrit dhe gjitha dikasteret tjera qeveritare kanë mangësi të theksuar të transparencës.

Gëzim Shala nga IKD deklaroi se vetëm Zyra e Kryeministrit i ka publikuar të gjitha vendimet e marra, ndërsa 7 dikasteret qeveritare nuk kanë publikuar asnjë vendi.

Sipas tij Ministria për Kthim funksionin me mungesë të plotë të transparencës.

“Problematika më e madhe qëndron në raport me publikimin e vendimeve të ministrisë, është vetëm Zyra e Kryeministrit që ka publikuar të gjitha vendimet në faqen e saj zyrtare, janë 7 dikastere qeveritare që nuk e kanë publikuar asnjë vendim, derisa janë disa ministri të tjera që janë publikuar një shumë të vogël të vendimeve në raport me vendimet që janë nxjerr, derisa dygjuhësia si detyrim kushtetues dhe ligjor që të gjitha dokumentet të publikohen edhe në gjuhën shqipe edhe në atë serbe është respektuar vetëm nga Zyra e Kryeministrit dhe ministria e Punëve të Brendshme. Në bazë të të dhënave të AIP-së, Qeveria dhe të gjitha dikasteret qeveritare në 89% raste nuk kanë kthyer përgjigje brenda afatit të përcaktuar me Ligjin për qasjen në dokumente publike, derisa në 71% qasja në dokumente publike është mundësuar vetëm pas nxjerrës së vendimit të AIP-së. Më problematikja në këtë rast del të jetë Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës… Ende ka mangësi të theksuar në raport me transparencë dhe nuk përkon assesi me kërkesat ligjore e aq më pak me premtimin për transparencë radikale që qeverisje”, theksoi ai.

Mungesë të plotë të transparencës në raport me publikun është evidentuar te 17 ndërmarrjet publike, ku vetëm në 4 raste dihet se kush janë udhëheqësit e tyre.

“Gjetjet janë se mungojnë pothuajse të dhënat më elementare që një qytetar duhet të informohet në raport me këto organe… Nga 17 ndërmarrje të analizuara në këtë raport 4 prej tyre nuk kanë as të dhëna bazë për të kuptuar mbi natyrën e këtyre e ndërmarrjeve publike se çka bëjnë këto ndërmarrje publike. 14 prej tyre nuk kanë fare të dhëna sa i përket zëdhënësve apo zyrtarëve për dokumente publike, derisa kanë vetëm në 3 raste. 17 ndërmarrje publike i kanë publikuar 15 vendime”, u shpreh Shala.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu tha se kjo Zyre e respekton në përpikëri çështjen e publikimit të dokumenteve, edhe ato në gjuhën serbe.

Ai tha se këtë vit kanë pranuar 91 kërkesa për qasje në dokumente publike, ku në 87 raste përgjigja ka qenë pozitive.

Kryeziu tha se janë në dijeni për mangësinë e përkthimeve në gjuhën serbe, por që tashmë po punojnë për krijimin e njësisë së përkthimeve të dokumenteve zyrtare.

“Gjatë këtij viti, pra nga janari e deri më sot, ne kemi pranuar gjithsej 91 kërkesa për qasje në dokumente publike, prej të cilave 87 kanë marrë përgjigje pozitive, dy janë refuzuar dhe tri janë aktualisht në proces. Kërkesa për qasje në dokumente publike zakonisht janë karakterit të shpenzimeve të Zyrës së kryeministrit. Sa herë që ka një udhëtim kryeministri gjithmonë ka qasje në dokumente publike… Çka ndodh zakonisht është se tek ajo pjesa e vonesave se vonesat nuk janë rezultat i hezitimit të zyrës për të dhënë dokumentet apo të dhënat, vonesat rëndom ndodhin për shkak se nganjëherë jemi peng i operatorëve ekonomikë që nuk përcjellin dokumentacionin e nevojshëm në mënyrë të shpejtë dhe nganjëherë ka nevojë për verifikim të të dhënave”, tha ai.

Ndërsa, zëvendës sekretarja e Ministrisë së Ekonomisë, Leonita Shabani-Mullarama u shpreh se kjo ministri ka publikuar një vendim, e jo asnjë thotë raporti i IKD-së. Ajo tha se mungesa e publikimit të vendimeve do të adresohet brenda një afati shumë të shpejt kohor.

Zëvendës sekretarja e ministrisë së Ekonomisë theksoi se kanë pranuar 32 kërkesa për qasje në dokumente publike të cilat janë adresuar.

“Konsideroj se është shumë i lartë numri i këtyre vendimeve që janë marrë nga ana e ministrisë dhe besoj që jeni të informuar se të gjitha këto vendime janë komunikuar me publikun në një formë apo tjetër, sepse kryesisht kemi të bëjmë me vendime në kuadër të Komitetit teknik emergjent… Por mungon vendimi përkatës në ueb faqen e ministrisë dhe konsideroj se kjo është më shumë neglizhencë e zyrtarëve përgjegjës dhe besoj që do të adresohet brenda një afati të shkurt kohor”, u shpreh ajo.

Periudha analitike e këtyre dy raporteve përfshinë muajin janar-tetor 2022.