Raporti i DASh-it, opozita e vlerëson shqetësues, pushteti mohon ndërhyrjet në sistem të drejtësisë

Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit për Kosovën po shihet shqetësues për partitë opozitare dhe shoqërinë civile. Sipas tyre, në të njëjtin shpërfaqen ndërhyrjet e qeverisë në sistemin e drejtësisë, nivelin e korrupsionit, pandëshkueshmërinë e zyrtarëve të qeverisë, dhunën në familje dhe dhunën në baza gjinore. Mirëpo, në partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje, mohojnë ndërhyrjen…

Lajme

23/04/2024 16:02

Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit për Kosovën po shihet shqetësues për partitë opozitare dhe shoqërinë civile. Sipas tyre, në të njëjtin shpërfaqen ndërhyrjet e qeverisë në sistemin e drejtësisë, nivelin e korrupsionit, pandëshkueshmërinë e zyrtarëve të qeverisë, dhunën në familje dhe dhunën në baza gjinore.

Mirëpo, në partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje, mohojnë ndërhyrjen në sistem të drejtësisë, derisa potencojnë se do të analizojnë secilin raport ndërkombëtar që monitoron efikasitetin e institucioneve të Kosovës.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu, thotë për KosovaPress së në raport e DASh-it nuk theksohet ndonjë progres në Kosovë gjatë vitit 2023.

Deputetja opozitare vë në pah edhe kufizimet serioze ndaj lirisë së shprehjes dhe lirisë së mediave, përfshirë edhe nëpërmjet dhunës apo kërcënimeve ndaj gazetarëve.

“Nuk ka ndonjë progres për të cilin flet raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit për vitin 2023. Krejt çka shohim janë probleme të cilat i përsëriten shtetit të Kosovës. Institucionet e Kosovës kanë dështuar për të krijuar institucione llogaridhënëse dhe kredibile. Raporti vë theksin për nivelin e korrupsionit dhe pandëshkueshmërinë e zyrtarëve të qeverisë në raport me korrupsionin. Po ashtu shqetësim mbetet edhe çështja e gjyqësorit për të cilin ka një adresim të qartë dhe një theks të veçantë në raport ka edhe të drejtat e njeriut, dhuna në baza gjinore dhe dhuna në familje…Ju e dini se tash e sa kohë ne kemi ngritur shqetësimet tona si opozitë për mënyrën sesi qeveria dhe ministrat me radhë kanë pasur ndikim në institucionet e drejtësisë, qoftë përmes deklaratave të tyre por edhe përmes sulmeve që kemi, do t’i përmend rastet ndaj Gjykatës Kushtetuese por edhe prokurorisë dhe gjyqësisë”, thekson Deliu.

Ndërkaq, sipas Lidhjes Demokratike e Kosovës, në raportin e DASh-it theksohet korrupsioni serioz i Qeverisë Kurti.

“Lidhja Demokratike e Kosovës ka pranuar me shqetësim raportin e fundit të Departamentit amerikan të shtetit, për Kosovën për vitin 2023. Ky raport është konfirmim i të gjitha shqetësimeve tona të cilat janë ngritur në vazhdimësi. Raporti në fjalë i dha vulë paaftësisë së Qeverisë dhe korrupsionit, siç është cekur edhe në raport “korrupsionit serioz të Qeverisë”, thuhet në deklarimin e tyre për medie të martën.

Në anën tjetër, hulumtuesi në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), Vullnet Bugaqku, thotë për KosovaPress së në raportin e DASh-it evidentohen disa probleme që ballafaqohet sistemi i drejtësisë, siç janë mungesa e llogaridhënës dhe mosefikasiteti në trajtimin e rasteve të korrupsionit.

Sipas tij në raport theksohet se qeveria s’ka treguar efikasitet në zbatimin e ligjit dhe po ashtu s’ka marrë asnjë masë ligjore ndaj zyrtarëve qeveritar që janë përfshirë në afera korruptive.

“Raporti ka evidentu disa probleme ose sfida që ballafaqohet sistemi gjyqësor. Në përgjithësi është fokusuar në ndërhyrjet politike në sistemin gjyqësor në Republikën e Kosovës, pastaj në mungesën e llogaridhënies së sistemit të drejtësisë, mosefikasitetin e trajtimit të rasteve të korrupsionit. Ajo çka është interesat është se raporti përmend dy shkaqe që lufta kundër korrupsionit në Kosovë mos të jetë efikase. Cilëson qeverinë se nuk është treguar shumë efikase në zbatimin e ligjit, për faktin se shumë zyrtarë të raportuar në medie se janë të përfshirë apo infiltruar në afera korruptive dhe qeveria s’ka marrë asnjë masë ligjore ndaj tyre, qoftë t’i pezullojë apo shkarkojë. Po ashtu raporti përmend edhe faktin e dytë, ndërhyrjen e qeverisë përmes deklarimeve publike ndaj gjyqtarëve, prokurorëve dhe mënyrën sesi janë trajtuar rastet në Kosovë”, deklaron Bugaqku.

Mirëpo këto pretendime që theksohen në raport i mohon deputeti i LVV-së, njëherësh kryetar i komisionit për legjislacion, Adnan Rrustemi.

Sipas tij, pushteti s’ka ndërhyrë asnjëherë në sistem të drejtësisë, në kuptimin e shtyrjes përpara të rasteve specifike. Megjithatë, ai thotë se vazhdimisht kanë kërkuar dhe do të kërkojnë më shumë efikasitet nga sistemi i drejtësisë në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Do të analizojmë secilin raport që monitoron aspektet e ndryshme të institucioneve të Kosovës. Në pikëpamjen tonë angazhimi për reforma në sistemin e drejtësisë, por jo vetëm kanë për fokus fuqizimin e sistemit, krijimin e gjykatave të paanshme dhe efikase, ku përmbushin mandatin e tyre ligjor dhe kushtetues. Ne nuk kemi ndërhyrë asnjëherë në sistem të drejtësisë, në kuptimin e shtyrjes përpara të rasteve specifike që mund të na përkasin dikujt nga ne. Kjo i përket të shkuarjes, ne thjesht kemi pasur pikëpamje në situata të caktuara në lidhje inefikasitetin e sistemit të drejtësisë. Kemi kërkuar dhe pritur më shumë në kuptimin e luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit. Kjo nuk duhet të konsiderohet ndërhyrje por manifestim i një dëshire për më shumë punë dhe angazhim”

Raporti i Departamentit të Shtetit për të Drejtat e Njeriut thotë se nuk pati ndryshime domethënëse gjatë vitit 2023 për situatën e të drejtave të njeriut në Kosovë. Raporti i Departamentit të Shtetit thotë se qeveria e Kosovës ndërmori hapa të besueshëm, por jo të vazhdueshëm për të identifikuar, hetuar, akuzuar dhe ndëshkuar zyrtarët që mund të kenë abuzuar me të drejtat e njeriut.