Raporte për “rrahje brutale” të migrantëve në kufirin Bosnje-Kroaci

Derisa udhëheqësit e Bashkimit Evropian mendojnë për një sistem të ri migrimi, në publik kanë dalë raporte për migrantë që rrihen dhe abuzohen nga policia kroate, teksa bëjnë përpjekje të hyjnë në BE, përmes Bosnje e Hercegovinës.

Lajme

27/10/2020 17:11

Sipas gazetës britanike Guardian – e cila ka raportuar për keqtrajtimet e pretenduara rreth Vellika Klladushës, pranë kufirit të Bosnjës me Kroacinë – migrantët “janë rrahur, plaçkitur dhe abuzuar seksualisht nga anëtarët e policisë kroate”, transmeton REL.

Guardian ka cituar Këshillin Danez të Refugjatëve (DRC), i cili ka pohuar muajin e kaluar se ai dhe OJQ-të e tjera “kanë dokumentuar raste të shumta të njerëzve, që janë shtyrë me forcë dhe nganjëherë me dhunë” në Bosnje.

Bosnja vlerësohet t’i ketë së paku edhe 7,400 njerëz në kampe, edhe pesë vjet pas kulmit të krizës së migrantëve në Evropë.

Sipas DRC-së, “këto praktika përfshijnë vjedhje, zhvatje, shkatërrim të pronës, abuzim fizik, trajtim degradues dhe mohim të qasjes në procedurat e azilit”.

Duke folur për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë më 21 tetor, drejtori i DRC-së për Bosnjën ka thënë se OJQ-ja ka marrë raporte për një sërë sulmesh brutale nga policia kroate ndaj migrantëve dhe azilkërkuesve në kufirin Kroaci-Bosnje, në periudhën 12-16 tetor.

“Njerëzit janë rrahur brutalisht; atyre u janë marrë sendet ose u janë djegur”, ka thënë Nikola Bay për Radion Evropa e Lirë.

“Ata janë zhveshur dhe, së paku në dy raste, kanë raportuar abuzim të rëndë seksual”, ka shtuar ai.

“Lëndime të Rënda Trupore”

Radio Evropa e Lirë ka hasur në akuza të tilla për abuzim edhe në fund të javës së kaluar, kur ka vizituar një qendër shëndetësore të Bosnjës, që ofron ndihmë për migrantët në Vellika Klladusha.

Sipas punëtorëve mjekësorë në këtë qendër, në periudhën 12-22 tetor, ata kanë trajtuar rreth 150 migrantë për lëndime të ndryshme, që kanë thënë se i kanë marrë gjatë kalimit të kufirit me Kroacinë.

Mustafa Hoxhiq, mjek që punon në klinikën ambulantore në kampin e migrantëve Miral, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se, ditëve të fundit, ai ka parë “një numër në rritje të pacientëve, që shfaqen me lëndime në formën e hematomave ose mavijosjeve, që janë të vendosura në zonën e shpinës ose pjesën e poshtme të këmbëve dhe pjesën e sipërme të këmbëve”.

Ai ka thënë se këto lëndime shkaktohen nga “një numër i madh goditjesh” me “një objekt të topitur”.

Muhaamad, migrant me origjinë nga Pakistani, është paraqitur në kampin Miral më 21 tetor, me të nxira në bark.

Ai ka thënë se i ka marrë plagët kur ai dhe një mik i tij janë kapur nga policia kroate, pasi kanë kaluar në mënyrë të paligjshme kufirin me Bosnjën.

“Policia kroate më ka rrahur. Nuk kam ngrënë për pesë ditë. Nuk kam as telefon celular”, ka thënë ai për Radion Evropa e Lirë.

Miku i Muhammadit, Faruk, i cili ka qenë me të kur është arrestuar, ka thënë se policia kroate ia ka marrë edhe telefonin, edhe paratë.

“Nuk kam më para. Nuk kam asgjë. Nuk mund të shkoj as në kamp”, ka thënë ai.

Një ditë para se Muhammad dhe Faruk të mbërrinin përsëri në kampin Miral, një grup prej 26 migrantësh nga Afganistani dhe Pakistani janë trajtuar po ashtu për lëndime në Vellika Klladusha dhe kanë paraqitur një raport në policinë lokale.

“Njëri prej tyre është gjetur me lëndime të rënda trupore”, i ka thënë Radios Evropa e Lirë Alle Sildediq, zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kantonit Una-Sana të Bosnjës. “Migrantët e tjerë janë gjetur me lëndime të lehta trupore”, ka thënë ai.

Sipas Sildediqit, migrantët i kanë thënë policisë boshnjake se kanë kaluar kufirin kroat në mënyrë të paligjshme dhe se më pas janë kapur nga “persona me uniformë – me shumë gjasa nga policia kroate”.

“Pas kësaj, ata janë kthyer në territorin boshnjak, në një vend të panjohur”, ka thënë Sildediq.

“Është e qartë se këta njerëz kanë lëndime të caktuara në trup, por ne nuk mund të konfirmojmë në këtë kohë se ato janë shkaktuar nga oficerë të policisë së një shteti fqinj. Ajo që kemi, janë deklaratat e migrantëve”, ka shtuar ai.

Ministria e Brendshme e Kroacisë i ka mohuar akuzat për abuzim, edhe pse ka thënë se po i merr “shumë seriozisht” ato dhe se do të nisë hetime.

Avokatja e Popullit e Kroacisë, përgjegjëse për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se “nuk ka pasur njohuri të menjëhershme për ngjarjet” e raportuara fillimisht në Guardian dhe më pas gjetkë.

“Migrantët në fjalë nuk na kanë kontaktuar drejtpërdrejt ose përmes organizatave joqeveritare”, ka thënë Llora Vidoviq.

“Kemi hapur një procedurë hetimi dhe do t’i kërkojmë Ministrisë së Brendshme të komentojë mbi detajet, siç bëjmë në çdo rast”, ka shtuar ajo.

Sipas Sildediqit, autoritetet në Bosnjë duhet të merren pothuajse çdo ditë me rastet e policisë kroate, që kthen me forcë migrantë dhe refugjatë, shpesh pa procedurë të duhur.

“Në raste të caktuara, kemi informacione se ata hyjnë më thellë në territorin e Kroacisë, por pastaj kapen dhe kthehen në kufirin me Bosnjën, jo në kalimet e rregullta të kufirit, sepse kjo do të ishte një procedurë e rregullt e ripranimit”, ka thënë Sildediq.

Këto informacione përkojnë edhe me gjetjet e Qendrës për Studime të Paqes në Zagreb, e cila ka thënë se, bazuar në mijëra dëshmi të refugjatëve dhe migrantëve, dhuna dhe dëbimet në kufirin kroat kanë vazhduar për mjaft kohë, porse asnjë hetim i efektshëm i këtyre pretendimeve nuk ka nisur.

“Dëshmitë e fundit të botuara nga Guardian janë plotësuese të dëshmive për veprimet e policisë kroate në katër vjetët e fundit”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë Antonia Pindulliq, eksperte ligjore në qendër.

Më 22 tetor, një ditë pas raportit të gazetës Guardian mbi abuzimet pranë Vellika Klladushës, komisionarja e Këshillit të Evropës për të drejtat e njeriut, Dunja Mijatoviq, ka shprehur shqetësimin e saj për “raportet e besueshme” të abuzimeve në kufirin kroat dhe i ka bërë thirrje Zagrebit që t’i hetojë pretendimet.

Vidoviq i është bashkuar Mijatoviqit në thirrjen për publikimin sa më të shpejtë të raportit të Komitetit të Këshillit të Evropës për Parandalimin e Torturës, i cili ka vizituar Kroacinë këtë verë.

Pindulliq, megjithatë, ka thënë se Brukseli mund të bëjë më shumë për të trajtuar problemin.

“Këtu ne shohim shumë dëbime serike, në të cilat marrin pjesë Sllovenia, Kroacia dhe vendet e tjera. Nuk ka përpjekje reale për t’i parandaluar këto shkelje të të drejtave të njeriut”, ka thënë Pindulliq.

Raportet e fundit për abuzime vijnë disa javë pasi BE-ja ka publikuar një propozim të diskutueshëm, që synon lehtësimin e kontrollit më të shpejtë të migrantëve – përpara se të hyjnë në një vend të caktuar – dhe riatdhesimin e shpejtë të atyre që iu refuzohen aplikimet.

Edhe pse Pakti i propozuar i BE-së për Migrimin ka për qëllim t’i shpejtojë dëbimet dhe të mundësojë një shpërndarje më të barabartë të azilkërkuesve në vendet anëtare, Pindulliq ka thënë se ai bën pak për të trajtuar çështjen e shkeljeve të të drejtave të njeriut.

Sondazhi i fundit i Qendrës Gallup tregon se simpatia për migrantët në rajon, në përgjithësi mungon.

Sipas sondazhit, banorët e disa vendeve evropiane, përfshirë: Maqedoninë e Veriut, Hungarinë, Serbinë, Kroacinë, Bosnjën dhe Malin e Zi, e mbështesin më së paku mundësinë e vendosjes së migrantëve në vendin apo lagjen e tyre, apo martesën e tyre me një anëtar të familjes.