Raport pozitiv për Serbinë

Ashton pritet të prezantojë Raport pozitiv para Këshillit të Ministrave të BE’së. Thotë se Serbia i ka përmbushur të gjitha kushtet për fillimin e negociatave, ndërsa ka pranuar të ketë vetëm një Gjykatë dhe Prokurori Themelore për gjithë rajonin e Mitrovicës.

Lajme

16/12/2013 20:30

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian, Catherine Ashton, do t’i raportojë nesër Këshillit të Ministrave të Jashtëm të BE’së, ku do të thotë se Serbia i ka përmbushur të gjitha detyrat për të filluar negociatat për integrim dhe ka bërë thirrje që bisedimet të fillojnë.

Kështu transmeton agjencia serbe e lajmeve Tanjug, duke iu referuar tekstit të Raportit të Baronesësh Ashton.

“Ashtu siç kam bërë në qershor dhe siç tregon ky Raport, ju bëjmë thirrje që ta pranoni faktin se të gjitha obligimet dhe pikat e parapara me Marrëveshjen e Prillit (Brukselit) janë plotësuar”, shkruan në fjalimin e Ashton, i cili është i paraparë për takimin e së martës në Këshill.

 “Nëse pajtoheni me këtë konstatim, shpresoj se do të pajtoheni edhe me idenë që konferenca e parë ndërministrore me Serbinë zyrtarisht të fillojë më së voni në janar të vitit 2014”, thuhet në këtë Raport.

 Në një dokument pesëfaqesh të gjatë, i cili përshkruan progresin në zbatimin e marrëveshjes së parë për normalizimin e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës, Ashton përshkruan në detaje çdo gjë që është arritur deri më tani në të gjitha fushat, duke filluar nga zgjedhjet lokale deri te Policia dhe Menaxhimin e Integruat të Kufirit (IBM).

Kur është fjala për gjyqësorin, Ashton thotë se “ka ende punë për t’u bërë në Gjykatat në Veri të Mitrovicës dhe përcaktimi i numrit të saktë të personelit gjyqësor në Gjykata”.

“Në Kosovë, do të ketë një Gjykatë të Lartë dhe të Apelit, ndërsa në Mitrovicë do të ketë një Gjykatë dhe Prokurori Themelore dhe me këtë kuadri gjyqësor i përbërë nga kuadro serbë do të integrohen për herë të parë në sistemin kosovar të drejtësisë”

“Duke u bazuar në këto, shihet qartë se Serbia i ka përmbushur të gjitha obligimet themelore, pasi që ka pranuar një Gjykatë Themelore dhe një Prokurori Themelore për rajonin e Mitrovicës”.

“A do të thotë kjo se e gjithë puna ka mbaruar dhe se çështja është mbyllur? Normalisht që jo. Do të vazhdoj të punoj me të dyja palët në arritjet e mëtejme në këtë proces”, thuhet në fjalimin e Baroneshës Ashton.