Raport “dërrmues” i OKB’së për Sirinë
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki-Moon, beson se raporti i OKB’së, që do të publikohet së shpejti, lidhur me masakrën ndaj civilëve sirianë muajin e kaluar, do të jetë “dërrmues” duke dëshmuar se armët kimike janë përdorur në Siri.
Bota
Ban Ki-Moon ka pohuar se beson që Presidenti i Sirisë Bashar al-Assad “ka kryer shumë krime kundër njerëzimit”.
Ai nuk i ka atribuuar në mënyrë eksplicite sulmin e 21 gushtit forcave të Assad, duke sqaruar në vazhdimësi se raporti lidhur me sulmin do të përcaktojë vetëm nëse janë përdorur armët kimike dhe jo atë se kush i ka përdorur këto armë.
Por, deklarimet e tilla të tij u shpërndan nëpërmjet mesazheve në Twitter dhe menjëherë ka ngritur dyshimin nëse ai e dinte ose gjykonte raportin ende pa e parë.
“Unë besoj se raporti do të jetë dërrmues, raport dërrmues për përdorimin e armëve kimike edhe pse nuk mund ta them këtë publikisht pa e marrë këtë raport”, ka thënë Ban Ki-Moon në Forumin e Gruas në Zyrat Qendrore të Kombeve të Bashkuara.
Ndërkohë Sekretari Amerikan i Shtetit John Kerry dhe Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov janë duke vazhduar bisedimet e tyre lidhur me planin për të siguruar armët kimike të Sirisë.