Ranieri i dorëzuar: Roma provoi gjithçka

Roma ka bërë edhe një hap fals në xhiron e fundit të Serie A, duke rrezikuar të humb vendin që dërgon në garat e Ligës së Evropës.

Sport

19/05/2019 10:44

Në ndeshjen e mbrëmshme kundër Sassuolo, skuadra e Claudio Ranierit nuk ka arritur më shumë sesa një barazim 0:0.

Me këtë barazim, ata i japin mundësinë Milanit që të parakalojnë me një fitore eventuale në xhiron e fundit, ku përballë do të kenë Frosiononen.

Gjithsesi, përkundër kësaj situate, Ranieri beson se skuadra e tij ka dhënë gjithçka nga vetja.

“Provuam gjithçka deri në fund. Unë nuk mund të kërkoja më shumë nga djemtë. Ata luajtën mirë në pjesën e dytë” ka thënë Ranieri për ‘DAZN’, transmeton lajmi.net.

“Gjithmonë është ndjenjë e keqe kur nuk merr tri pikët. Roma ka skuadër të mirë, por ka disa arsye kur gjërat nuk shkojnë mirë. Humbëm shanse të pastra, goditëm shtyllën e plotë arsye të tjera” ka thënë ndër të tjerash trajneri italian.

Me shumë gjasë kjo do të jetë edhe ndeshja e fundit që Claudio Ranieri do ta ketë në stolin e Romës.

Zëra të shumtë thonë se do të jetë Antonio Conte ai që do të jetë trajneri i ardhshëm i skuadrës kryeqytetase. /Lajmi.net/