Rangnick: Mungon Cavani, gjithçka do vendoset në “Old Trafford”

Trajneri i Manchester Unitedit, Ralf Rangnick ka komentuar përballjen ndaj Atletico Madridit, në kuadër të raundit të 16-të në Ligën e Kampionëve.

Sport

22/02/2022 15:18

Rangnick ka konfirmuar se qendërsulmuesi Edinson Cavani nuk do udhëtojë me skuadrën, shkaku i problemeve që ka pasur në javët e fundit, transmeton lajmi.net.

“Edi nuk do të udhëtojë. Nuk është stërvitur dhe nuk ka qenë në stërvitje që disa javë. Ka disa probleme dhe për derisa nuk ndihet gati për të vrapuar shpejtë, nuk ka kuptim që të stërvitet”.

Tutje, Rangnick është pyetur se nëse do vazhdojë të drejtojë Manchester Unitedin edhe pas verës së ardhshme.

“Kjo pyetje nuk është për tani, por për në verë. Fokusi ynë i plotë është situata momentale, e tashmja dhe ndeshja e Ligës së Kampionëve nesër dhe Premierliga”.

“Të gjitha problemet tjera duhet të presin deri në fundin e sezonit”.

Në fund, Rangnick komentoi edhe përballjen ndaj Atleticos, ku e vlerësoi si ndeshje të nivelit të lartë.

“Në Ligën e Kampionëve duhet të përformosh në të gjitha pjesët e fushës. Duhet të sigurohemi që lojtarët të shërohen në ditët e fundit dhe ndoshta do kemi disa lojtarë të freskët në fushë, do shohim nesër”.

“Nga ana psikike duhet të përgatitemi shumë emocionalisht, do ketë atmosferë nesër. Nuk mendoj që ndeshja do vendoset nesër, do vendoset në ndeshjen kthyese në Old Trafford”, përfundoi Rangnick.

Ndërkohë, përballja nis në ora 21:00./Lajmi.net/