Ramush Haradinaj u takua me John Kerryn
Kryetari i AAK’së, Ramush Haradinaj, gjatë qëndrimit në Washington është takuar me Sekretarin Amerikan të Shtetit, John Kerry, dhe zyrtarët e lartë të këtij Departamenti, Hoyt Yee dhe Jonathan Moore si dhe me gjeneralin Wesley Clark e kongresistin Eliot Engel.
Lajme
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj mori pjesë ne ceremoninë e Lutjeve të Mëngjesit, ku fjalën kryesore e pati Presidenti i ShBA’së, Barack Obama.
Gjatë ceremonisë, kryetari Haradinaj u takua me Sekretarin Amerikan të Shtetit, John Kerry, të cilin e falënderoi për rolin tepër të rëndësishëm për Kosovën për shumë vite dhe shkëmbeu mendime për të ardhmen e Kosovës, thuhet në një komunikatë të AAK’së.
Bashkë me Haradinajn, në Washington po qëndron edhe Nënkryetari i AAK’së dhe Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ardian Gjini.
Kryetari Haradinaj, gjatë ditës është takuar, në takime të ndara, edhe me Zëvendës Ndihmës-Sekretarin Amerikan, Hoyt Yee dhe me Drejtorin për Çështjet e Europës Qendrore dhe Jugore në Departamentin Amerikan të Shtetit, Jonathan Moore.
Në këto takime u bisedua për zhvillimet në Kosovë dhe për perspektiven e Kosovës pas zgjedhjeve që do të mbahen në këtë vit.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka pasur një takim edhe me Kongresistin Eliot Engel, ku gjithashtu është biseduar për zhvillimet në Kosovë dhe për perspektivat e Kosovës.
Haradinaj u prit edhe nga gjenerali Wesley Clark, me të cilin shkëmbyen kujtime nga koha e luftës së Kosovës, si dhe u bisedua për të ardhmen politike e ekonomike të Kosovës.
Sot, gjatë ditës Kryetari Haradinaj, ka pranuar edhe një letër nga senatori amerikan, Bob Dol, në të cilën mes tjerash Senatori Dol, falënderon kryetarin Haradinaj për udhëheqjen e jashtëzakonshme me shkallë botërore si dhe për arritjen e rezultateve të prekshme në zhvillimin demokratik të Kosovës, thuhet në një komunikatë të AAK’së.