Ramush Haradinaj thotë të mos humbet kohë për zgjedhje

Ramush Haradinaj thotë se lajmi i mirë për Kosovën në këtë kohë janë zgjedhjet. Thotë se nuk po e kupton pse duhet të humbet kohë me mbajtjen e zgjedhjeve. Sipas tij, është e habitshme mos gatishmëria e secilit për të arritur një qëndrim të përbashkët.

Lajme

18/02/2014 15:23

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, është shprehur i habitur që “po humbet kohë” për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare pasi, sipas tij, ato edhe sikur të mbaheshin në muajin qershor apo në shtator, prapë do të jenë “të jashtëzakonshme”.

Haradinaj këto komente i bëri pas një takimi me Kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Sipas tij, është e pakuptueshme mosgatishmëria e secilit për ta gjetur mënyrën për të arritur një qëndrim të përbashkët.

“Ajo që është interesant për mua është aspekti kohor. Edhe paralajmërimi për zgjedhje në qershor nënkupton mënyrë të njëjtë të zgjedhjeve sikurse të ndodhnin tani në prill. Janë zgjedhje të jashtëzakonshme janë 45 ditë me reformë të pjesshme.

“Ose vonesat deri në shtator me këtë dinamikë si po shkojmë ne prapë janë zgjedhje të jashtëzakonshme 45 ditë. Unë nuk e kuptoj pse duhet që Kosova të humbet kohë. Ne nuk po flasim për një subjekt politik për cilin do”.

“ Unë e di që në opozitë ka vullnet për ta ndalë Qeverinë e sotme, por nuk e shoh pse duhet të humbet kohë, është e habitshme për mua mosgatishmëria e secilit prej nesh me gjet mënyrën për të arritur te një qëndrim i përbashkët”.

I pyetur se a do të mund AAK t`i mbledh nënshkrimet për mocion votëbesimi ndaj Qeverisë, Haradinaj nuk është përgjigjur qartë duke thënë se për një temë kaq serioze duhet të japim të gjithë nga vetja në mënyrë që t`i sigurohet vendit një fillim i ri institucional.

“Shpresojmë se do të arrijmë të krijojmë një mundësi si vend që ta ndalim mënyrën e qeverisjes së vendit ashtu siç qeveriset sot”.

“Ka një interesim në të gjithë vendin që gjendja institucionale çfarë është të ndërpritet, lajmi i mirë i vetëm që mundemi t`i sjellim Kosovës tani janë zgjedhjet. Ne shpresojmë që do të ketë një reflektim të ardhmen nga grupet parlamentare nga deputetët nga të gjithë në Kosovë”.

Ndërsa Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka deklaruar se një ditë më shumë e kësaj qeverisjeje është një ditë dëm më shumë për Kosovën.

“Qëndrimi im është i njëjtë me qëndrimin e Lëvizjes Vetëvendosje që prej vitit 2011 kërkon dorëheqjen e kësaj Qeverie.