Ramush Haradinaj president ose vendi shkon në zgjedhje, AAK kërcënon sërish koalicionin

Ramush Haradinaj është emri i vetëm që AAK-ja ka për president dhe synon

Lajme

27/10/2020 16:31

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka kandidatin e saj për president, Ramush Haradinajn,  prandaj nuk do të  bëjë kompromis për këtë post dhe nëse nuk arrihet marrëveshje me Lidhjen Demokratike të  Kosovës, ata thonë se janë  të gatshëm për zgjedhje.

Kështu ka thënë për lajmi.net, deputeti i AKK-së, Arbër Tolaj.

Tolaj ka thënë se kjo parti e ka kandidatin për president dhe në këtë pikë nuk do të bëjnë kompromis.

“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka qenë transparente në ketë temë, e ka kandidatin për president, brenda afatit të rregullt se zgjedhjes së presidentit. Por nëse nuk dakordohemi për marrëveshje në ketë pikë, ne si Aleance nuk bëjmë kompromis, jemi të gatshëm edhe për zgjedhje”, ka thënë Tolaj.

Ndërkohë, dje nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri ka thënë  se kjo parti e ka vetëm një  emër për president dhe ai është  Isa Mustafa.

“Ende nuk kemi marrëveshje për president, unë po përsëris vazhdimisht që LDK-ja e ka ofruar rolin e vet konstruktiv për t’i dhënë vendit stabilitet. Ne jemi për një president konsensual, sa më konsensual në Kuvendin e Republikës, përtej saj nëse ka mundësi në mënyrë që t’i jepet vendit stabilitet. LDK nuk ka biseduar me askënd për çështjen e ndarjes së rolit të presidentit. Nëse LDK-së i bie në mandat, ose LDK-ja duhet ta udhëheqë, ne besoj që do të japim kontributin tonë dhe nuk kemi emër tjetër përpos Isa Mustafës. LDK-ja pajtohet parimisht me çdo emër, i cili afron të gjitha palët, të gjitha partitë në Kuvend të Republikës për të zgjedhur një president sa më konsesual të mundshëm”, ka thënë Haziri dje për mediat.

Ty dyja këto parti po këmbëngulin për postin e presidentit, mandati i të cilit skadon në prill të viti të ardhshëm. /Lajmi.net/