Ramadani: Stoilkoviq është një nga rrezikuesit e paqes në Ballkan, s’duhet të jetë ministër në qeverinë e Maqedonisë së Veriut

Ish inspektori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Burim Ramadani ka thënë se Ivan Stoilkoviq është një nga rrezikuesit e paqes në Ballkan dhe sipas tij duhet të ndëshkohet e jo të promovohet në detyrën e ministrit në Maqedoninë e Veriut. Ramadani, njohës i sigurisë në një postim në Facebook shkruan se Ivan Stoilkoviq është…

Lajme

18/06/2024 12:27

Ish inspektori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Burim Ramadani ka thënë se Ivan Stoilkoviq është një nga rrezikuesit e paqes në Ballkan dhe sipas tij duhet të ndëshkohet e jo të promovohet në detyrën e ministrit në Maqedoninë e Veriut.

Ramadani, njohës i sigurisë në një postim në Facebook shkruan se Ivan Stoilkoviq është puthador i Vulinit dhe Dodikut në besnikërinë e tyre për Putinin, ndërsa pyet se si do të sillen karshi kësaj deputetët shqiptarë në Shkup.

Postimi i plotë:

Ivan Stoilkoviq është një nga rrezikuesit e paqes në Ballkan.

Ai duhet të ndëshkohet dhe jo të promovohet në detyrën e Ministrit në Maqedoninë e Veriut.

Edhe më keq, kur për të duhen edhe votat e shqiptarëve në Kuvendin në Shkup.

Ivan Stoilkoviq është puthador i Vulinit dhe Dodikut në besnikërinë e tyre për Putinin.

Kështu, qëllimi i këtyre rrezikuesve ballkanik nuk është as demokracia, as stabiliteti.

Qëllimi është agjenda ruse kundër Ballkanit, posaçërisht kundër shqiptarëve.

Kur Aleksandar Vulin mori rrugën për në Moskë, u shoqërua nga Milorad Dodik i Bosnje e Hercegovinës dhe nga Ivan Stoilkoviq i Maqedonisë së Veriut.

Më 25 maj 2023 u mbajt Konferenca e Sigurisë në Moskë, ndërsa më 11 korrik 2023 Vulin u fut në Listën e Zezë të SHBA-së.

Ndërkaq, bashkëpunëtori i tij, Ivan Stoilkoviq, po merr rol të rëndësishëm në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut.

Si do të sillen deputetët shqiptarë në Shkup?