Ramadani: Shkojmë në Varshavë për rezultat pozitiv

Kur kanë mbetur vetëm tre ditë nga sfida e parë kualifikuese kundër Polonisë, e vlefshme për Kampionatin Evropian 2024, Kombëtarja shqiptare vijon të përgatitet në mënyrë intensive. Në konferencën e sotme zyrtare për media u paraqit edhe mesfushori tjetër i Kombëtares, Ylber Ramadani theksoi se Kombëtarja ka si synim të vetëm rezultatin pozitiv në Varshavë,…

Sport

24/03/2023 15:23

Kur kanë mbetur vetëm tre ditë nga sfida e parë kualifikuese kundër Polonisë, e vlefshme për Kampionatin Evropian 2024, Kombëtarja shqiptare vijon të përgatitet në mënyrë intensive.

Në konferencën e sotme zyrtare për media u paraqit edhe mesfushori tjetër i Kombëtares, Ylber Ramadani theksoi se Kombëtarja ka si synim të vetëm rezultatin pozitiv në Varshavë, ndërsa nënvizoi se grupi aktual i kuqezinjve është shumë i mirë. Ndër të tjera, Ramadani foli edhe rreth trajnerit të ri të kombëtares dhe përshtypjet për të, formën e tij aktuale, si edhe çfarë do të bëjë Kombëtarja ndryshe kësaj radhe kundër Polonisë.

Çfarë do të bëjnë ndryshe kuqezinjtë kësaj radhe ndaj Polonisë? – Do të shkojmë në Poloni dhe t’i qasemi ndeshjes nga fillimi me shumë seriozitet dhe duhet të bëjmë maksimumin që të dalim nga Varshava me rezultat pozitiv.

Trajneri Silvinjo dhe ndryshimet me trajnerin Reja – Secili trajner ka idetë e veta dhe punën e tij. Deri tani, trajneri Silvinjo është treguar shumë pozitiv dhe na ka dhënë shumë përkrahje. Krijon shumë atmosferë kur stërvitet me ne dhe kjo është shumë gjë pozitive me ne.

Titullar ndaj Polonisë? – Do të bëj maksimumin dhe do stërvitem. Por është trajneri ai i cili e vendos se kush luan, ne duhet të përkrahim njëri-tjetrin.

Grupi i kuqezinjve, çfarë do të ndryshojë këtë edicion për të marrë rezultat? – Ekipi është shumë i mirë, grupi është shumë i mirë, por duhet të marrim më shumë vetëbesim dhe përgjegjësi secili dhe besoj se ky do të jetë suksesi për të ardhmen.

Partizani vazhdon të dërgojë lojtarë në Kombëtare –  Më bëhet qejfi, pasi aty kam luajtur një vit e gjysmë, kam kaluar momentet më të mira. Më vjen mirë që tradita vazhdon.

Në formë për të luajtur në formacion? – Do punoj shumë, si tek ekipi im, si këtu. Por, është trajneri ai që vendos. Unë kam ardhur të luaj, por nuk e kam problem nëse dikush luan përpara meje. Është kënaqësi të jem këtu dhe të mbështes çunat. Rëndësi ka të marrim rezultat pozitiv.

Gol nga mesfusha? – Duhet të provojmë më shumë portën, të bëjmë më shumë goditje në portë për të arritur te goli.

Pozicioni në fushë – Kur të pyet trajneri nëse e mbulon dot një pozicion në fushë, duhet ta bësh, dhe nuk e kam problem pozicionin në fushë.

Çfarë do të bëjë Kombëtarja ndryshe këtë radhë kundër Polonisë? – Duhet të merremi me detajet e vogla, dhe duhet të jemi të përqëndruar në ato detaje sepse kështu e pësuam edhe në ndeshjen e fundit. Të jemi të përqendruar nga minuta e parë deri tek e fundit. Do të bëj maksimumin për Kombëtaren./Lajmi.net/