Ramadani: Serbia fajtore për destabilizimin e Ballkanit, atë e ndal vetëm ushtria amerikane

Tashmë një kohë situata në Ballkanin Perëndimor ka filluar të ashpërsohet, kjo sipas ekspertëve të Evropës është duke u bërë për fajin e Serbisë.

Lajme

05/03/2017 09:28

Kriza politike në Maqedoni, rasti i ish- komandantit të UÇK-së Ramush Haradianjt në Francë, Bosnja drejt shpërbërjes, Kroacia në prag të kolapsit, sipas ekspertëve ndërkombëtar është për shkak të nacionalitetit të tepër të theksuar të Serbisë.

Njëjtë mendon edhe Burim Ramadani nga Qendra Kërkimore për Politika të Sigurisë, i cili i tha lajmi.net, se Serbia është e vetmja në Ballkan që edhe më tutje ka pretendime territoriale për shtetet fqinje.

“Elita politike në Ballkanin Perëndimor i është rikthyer gjuhës përjashtuese dhe logjikës nacionaliste. Në të vërtetë, kjo është risipërfaqur me thellimin e agjendës politike territorialiste të Serbisë.
Serbia është e vetmja në Ballkan që edhe më tutje ka pretendime territoriale në shtetet fqinje. Sikurse në Kosovë, po ashtu edhe në Bosnjë e Hercegovinë”, ka thënë Ramadani.

Sipas tij, “ish-bashkëpunëtorët e Millosheviqit kanë rikthyer ofensivën direkte dhe diplomatike që shtetet në fqinjësi të Serbisë të dalin si ‘shtete të dështuara’, kryesisht për të arritur qëllimet e veta territoriale.”

“Në anën tjetër, sikurse Serbia, edhe shtetet tjera në rajon vazhdojnë të përballen me vështirësi të mëdha në konsolidimin e demokracisë dhe kjo ka shkaktuar frustrim të vazhdueshëm të popullatës në këto shtete. Qeverisjet jotransparente dhe me doza gjysëm-autoritare, sikurse në Maqedoni dhe vendet tjera, kanë rikthyer agjendat nacionaliste si element që i mobilizon masat nëpër këto vende”, u shpreh ai.

I pyetur se nëse vazhdon një situatë e tillë, çka pritet sipas tij “Ballkani rrezikohet nga rikthimi i ndarjeve të thella etnike”, ku më pas thotë se “do të ishte të parahyrje për probleme praktike dhe serioze të sigurisë midis shteteve të Ballkanit.”

“Normalisht, kësaj i paraprinë gjuha aktuale tejet shqetësuese nacionaliste, e nisur nga Serbia dhe ish-bashkëpunëtorët e Millosheviqit, të cilët në rastin e Kosovës jo rrallë herë kanë tentuar të bëjnë krahasime edhe me ISIS-in. Kjo ka qenë gjuha që ka përdorur zëdhënësi i Millosheviqit, tashmë ministër i jashtëm i Serbisë, në rastin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në UNESCO”, deklaroi Ramadani.

Sipas Ramadanit, prezenca e vazhdueshme e Ushtrisë Amerikane do të ishte përgjigja e vetme parandaluese për përkeqësimin e mëtutjeshëm të situatës në Ballkan.

“Një qasje shumë më proaktive e Bashkimit Evropian do të ishte një zgjidhje e butë e problemeve midis shteteve në Ballkan. Sidomos, në nivelin e bashkëpunimit ekonomik, diplomatik dhe qytetar.

Në anën tjetër, në aspektin e sigurisë së fortë, prezenca e vazhdueshme e Ushtrisë Amerikane do të ishte përgjigja e vetme parandaluese për përkeqësimin e mëtutjeshëm. Sidomos, në hapësirat që po tentohet të krijohen të ashtuquajturat “konflikte të ngrira”, prezenca amerikane është e domosdoshme”, theksoi ai për lajmi.net

Ai rikujtoj se në rastin e Kosovës, do të ishte jashtëzakonisht e dobishme prezenca e përhershme ushtarake amerikane në veri të Kosovës, sikurse edhe në pjesët tjera.

“Kjo do të bllokonte njëherë e mirë tendencën për përhapjen e influencës së Rusisë në Ballkan dhe në Kosovë”, tha krejt në fund Ramadani. /Lajmi.net/