Ramadani: Rënia e intensitetit të virusit na shtyu në hapjen e kufijve, maskat dhe rekomandimet e IKSHPK-së janë të obligueshme
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj së bashku me drejtorin e KSHPK-së, Naser Ramadani, kanë vizituar pikën kufitare në Vërmicë.

Lajme
Me këtë rast, ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj, drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), Naser Ramadani, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, ushtruesja e detyrës së kryeinspektores shëndetësore, Nora Krasniqi, kryeinspektori i AUVK, Ibrahim Tërshnajku, kanë vizituar sot pikën kufitare në Vërmicë, për të parë implementimin e masave të reja për COVID-19.
Ministri Zemaj, deklaroi se të gjithë qytetarët që hyjnë dhe dalin në Kosovë, janë të obliguar që t’i respektojnë të gjitha vendimet dhe rekomandimet e IKSHPK-së, duke vendosur maska dhe mbajtur distancë.
Zemaj po ashtu deklaroi se arsyeja e vizitës së pikës kufitare në Vërmicë është pasi që Kosova zyrtarisht sot ka hequr kufizimin e lëvizjes së lirë si dhe të gjithë personat që hyjnë në Kosovë, tash e tutje nuk kanë nevojë për vetizolim.
“Kemi ardhur këtu që të shohim nga afër dhe në praktikë se si po qëndron çështja e lëvizjes së lirë dhe çështja e qytetarëve që hynë e dalin në Kosovë. Iu kisha lut të gjithë ata që hyn e dalin në Kosovë që të mbajnë maskat dhe t’i zbatojnë rekomandimet e dhëna nga IKSHKP-ja”, deklaroi Zemaj, raporton lajmi.net.
Në anën tjetër, drejtori i IKSHPK-së, Naser Ramadani, edhe një herë deklaroi se mbajtja e maskave, distancës dhe pastrimi i duarve është obliguese për të gjithë qytetarët që hyjnë dhe dalin nga Kosova.
Ai deklaroi se në rast se qytetarët nuk respektojnë rekomandimet e IKSHPK-së të dhëna deri më tani, atëherë do të ketë edhe shtrëngim të masave mbrojtëse.
“Nëse IKSHPK-ja e sheh që qytetarët nuk po i përfillin këto rekomandime do të ndërmerr masa më rigoroze dhe këtë e kemi për hir të ruajtjes së shëndetit të qytetarëve. Këtë e kemi për ruajtjen e shëndetit dhe jo shtrëngimin e masave. Hapja e kufijve nuk do të thotë mosrespektim të masave. Masakt dhe distanca duhet të mbahet”, deklaroi Ramadani, raporton tutje lajmi.net.
Sipas Ramadanit, nëse qytetarët nuk vetëdijesohen për mbajtjen e maskave, distancën, pastrimin e duarve dhe të gjitha rekomandimeve të tjera të dhëna nga IKSHPK-ja, atëherë do të rikthehen masat mbase edhe më rigoroze se që kanë qenë më parë.
“Kemi menduar se për këta tre muaj se qytetarët kanë marrë njohuri të mjaftueshme, nëse e shohim se këta qytetarë nuk janë vetëdijesuar dhe kërcënojnë gjendjen sikurse që është rritja e numrave ditëve të fundit,ne do t’i kthejmë qytetarët në shkollë që t’i mësojmë masat qysh në fillim”, u shpreh Ramadani, i cili shtoi se koronavorusi është akoma prezent dhe kjo është arsyeja prese duhet t’i përmbahemi rekomandimeve të IKSHPK-së.
Ramadani theksoi se arsyeja e rihapjes së kufijve ka të bëj edhe me uljen e intensitetit të virusit, por që sipas tij, virusi është i njëjtë nëse ai shfaqet tek ndonjë person.
“Arsyeja është se virusi nuk e ka intensitetin e njëjtë, por virusi nis e marre një qytetar i ka të njëjtat pasoja si në fillim, virusi është i njëjti. Problemi është që ne duhet të ruhemi dhe duhet të mësohemi me normalitetin e ri dhe ne duhet të sillemi ndryshe, kjo sjellje ndryshe është mbajtja e maskave, ruajtja e distancës, pastrimi i duarve dhe nëse nuk i respektojmë këto ne do të kemi rikthimin e gjendjes së mëparshme, numrin e të infektuarve dhe numrin e të vdekurve”, deklaroi Ramadani.
Theksojmë se deri më tani në Kosovë janë 1 mijë e 234 persona të infektuar, 31 të vdekur dhe 890 të shëruar. /Lajmi.net/