Ramadani: Kosova ka kapacitete që ta mbajë shtyrjen e epidemisë së koronavirusit

Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani, ka thënë se 80 përqind e rasteve do të kalojnë pa asnjë shenjë klinike.

Lajme

24/02/2020 23:55

Sipas tij Kosova është e përgatitur bashkë me institutin që të mund të përballet me këtë virus që deri tash ka marrë jetë gjithandej botës.

“Në çështjen e menaxhimit të epidemive dhe pandemive ka një sens logjik shkencor. Parakusht që duhet plotësuar është vonesa e stërzgjatjes së ardhjes në vendin tonë. Në vitin 2009 në mars ka shpërthyer epidemia e gripit pandemik H1N1, në Kosovë kemi pas raste minimale sepse epidemia ka ardh pas 6 muajsh. Tash për koronaviruesin kemi kapacitet që ta mbajmë shtyrjen e epidemisë. Sa të shtyhet është pozitive sepse kjo na bën më të përgatitur”, ka thënë Ramadani në Zona B.

Ramadani ka thënë institucioni që drejton ka kapacitete baras me shumë prej vendeve të zhvilluara që aty mund të bëhet analiza e diagnostifikimit të koronavirusit – virusit aerogjen.

Ai ka theksuar se me të njoftuar për përhapjen e koronavirusit, Instituti Kombëtar ka vënë kontakte me Organizatën Botërore të Shëndetit.

“Me OBSH kemi kontaktuar më 7 janar, kur autoritet kineze kanë zbuluar shkaktarin e sëmundjes. Instituti Kombëtar ka marrë provat dhe materialet jo vetëm prej një burimi”.

“Asnjëri nuk mund të jetë i befasuar nëse vie një rast. Njerëzit në Kosovë kanë një entuziazëm të veçantë, profesionist mund të dyshojnë në çdo rast të ardhur në koronavirusi. Sot në Kosovë nuk mund t’i befasojë një rast i dyshimtë i koronavirusit as policët e Kosovës. Në fushën e shëndetësisë publike është dhënë provimi”.