Ramadan Mujës 2 vjet burg me kusht, 30 muaj mosushtrim të detyrës

Trupi gjykues i ka shqiptuar Mujës masën e dënimit prej 2 vjetësh burgim me kusht dhe me 30 muaj mosushtrim të detyrës. Kjo masë e dënimit, me gjasë, do ta dërgojë Prizrenin në zgjedhje të jashtëzakonshme për Kryetar të Komunës.

Lajme

13/03/2014 15:06

Kryetarit të Prizrenit Ramadan Mujës për katër pikat e aktakuzës iu shqiptua dënimi me burgim prej dy vjetësh, me kusht që ai të mos kryejë vepra tjera penale gjatë 3 vjetëve. Zyrtarët tjerë komunalë morën gjithashtu dënime me kusht, por më të vogla, raporton Gazeta Jeta në Kosovë.

Muja i akuzuar bashkë me pesë zyrtarë të tjerë komunalë për keqpërdorim detyre dhe të autorizimit, do ta ketë të ndaluar ushtrimin e funksioneve publike në kohëzgjatje prej 30 muajsh.

Minir Krasniqi ish-drejtor i Administratës Publike u dënua me 1 vjet e 6 muaj burgim me kusht që për dy vjet të mos bëjë vepër tjetër penale.

Edhe Krasniqi nuk ka të drejtë të ushtrojë funksione publike për 18 muaj.

Kadri Ukimeri ish-drejtor i Gjeodezisë dhe Sadik Paçarizi ish-drejtor i Urbanizmit u dënuan me 8 muaj burgim me kusht që për 2 vjet të mos bëjnë vepër tjetër penale.

Avni Ademaj ish-drejtor i Gjeodezisë dhe Kadastrit u dënua me 5 muaj burgim me kusht që për 1 vit të mos shkaktojë vepra tjera penale.

Procedura ndaj Mujës dhe të tjerëve, ishte nisur më 25 mars  të vitit të kaluar, për të përfunduar në marsin e sivjetmë.

Muja dhe të tjerët akuzoheshin se kishin bërë keqpërdorime me prona komunale dhe të menaxhuara nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, raporton Gazeta Jeta në Kosovë.