Rama: U barazua racizmi dhe dhuna me pamundësinë e vazhdimit të lojës

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se vendimi i UEFA-s lidhur me incidentin në ndeshjen e kombëtarëve të Serbisë dhe Shqipërisë, ka barazuar dhunë fizike, racizmin me pamundësinë psikologjike e fizike për të vazhduar lojën.

Lajme

24/10/2014 16:40

Në një konferencë për media të mbajtur sot në Tiranë, Rama ka deklaruar se ky vendim politik nuk ka lidhje me politikën e jashtme të Bashkimit Europian dhe me politikën e jashtme të Shqipërisë.

Vendimi i Komisionit të Disiplinës të UEFA-s, që i jep fitoren në tavolinë ekipit serb ndaj kombëtares shqiptare me rezultatin 3-0, ka bërë që Kryeministri Edi Rama të dalë këtë të premte në një konferencë për media, duke deklaruar se ky vendim politik nuk ka lidhje me politikën e jashtme të Bashkimit Europian dhe me politikën e jashtme të Shqipërisë.

“UEFA ka vendosur një shenjë të padrejtë barazimi mes agresionit racist e dhunës fizike dhe pamundësisë psikologjike e fizike për të vazhduar ndeshjen. Duke dënuar të dy palët me nga 100 mijë euro, UEFA ka vendosur një shenjë të padrejtë barazimi, mes palës pritëse që ka të gjithë përgjegjësinë për organizimin e mbarëvajtjen e ndeshjes dhe palës mike, e cila në këtë rast nuk çoi as tifozë në fushën e huaj. UEFA ka dhënë padyshim një vendim politik, por kjo s’ka lidhje me politikën e jashtme të Shqipërisë, as me politikën e jashtme të Bashkimit Europian; është thjesht budallallëk t’i mendosh këto. Kjo ka lidhje me politikën e brendshme të UEFA-s, e cila është një “shtet më vete” siç i thonë fjalës. Dhe për kë di pak jo shumë nga mënyra se si funksionon ky “shtet”, është e qartë se UEFA as që i dëgjon ankimet apo pëlqimet e qeverive”, u shpreh Rama.

Sipas Kryeministrit, Federata Shqiptare e Futbollit bën shumë mirë që të kërkojë drejtësi në shkallët e tjera të drejtësisë.

“Federata Shqiptare e Futbollit bën shumë mirë që do ta ndjekë çështjen deri në fund, duke apeluar vendimin dhe, po të jetë nevoja, duke shkuar edhe në shkallën e tretë të gjykimit. Unë kam besim se çështja mund e do të gjykohet më drejt në shkallët e tjera, dhe dua t’u them të gjithë shqiptarëve të lënduar nga ky vendim se nuk është hera e parë që UEFA merr vendime që apelohen e pastaj edhe revokohen në shkallët më të larta”, theksoi Rama.

Kryeministri theksoi se fitorja e asaj mbrëmjeje që ndodhi në stadiumin “Partizani” të Beogradit ishte shumë më e madhe se sa një fitore në rezultat dhe theksoi se kombëtarja duhet të mbetet mishërimi i gjithçkaje magjike që ndodhi atje.

“Djemtë e jashtëzakonshëm të Kombëtare sonë dhe traineri ynë i mençur e plot eksperiencë, nuk duhet të ligështohen aspak nga padrejtësia e sotme. Ata nuk duhet ta harrojnë se në Beograd shkuan si futbollistë dhe u kthyen si mishërim i entuziazmit tonë kombëtar; i fuqisë së besimit tonë tek vetvetja; i asaj çfarë mund të bëjmë si komb e si vend nëse vendosim zemrën dhe solidaritetin në themelin e punës sonë. Kjo është fitorja më e madhe e tyre nën fanellën kuqezi dhe misioni i tyre nuk është të fitojnë kampionatin europian të futbollit, të mbeten mishërimi i gjithçkaje ishin në natën magjike të 15 tetorit”, tha Rama.

Kryeministri njoftoi se stadiumi i ri olimpik i Shkodrës do të hapet në tetor të vitit 2015, do të ketë 20 mije vende dhe takimi i pare qe do te lyhet aty do te jete ndeshja e kthimit Shqipëri-Serbi. /Top Channel/