Rama tregon depot ku po ruhen vaksinat kundër COVID-19

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka qenë sot në ambientet e Institutit të Shëndetit Publik, ku ka parë nga afër vendin ku janë depozituar vaksinat anti-COVID dhe ku do të depozitohen dozat e tjera që do të mbërrijnë në ditët në vijim në Shqipëri.

Lajme

13/01/2021 13:05

Rama është shoqëruar nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ku kanë treguar frigoriferët se ku ruhen vaksinat në ambientet e ISHP-së. Gjatë vizitës Rama ka pyetur se çfarë mund të ndodhte nëse virusi do kishte ardhur kohë më parë dhe ministra Manastirliu tha se do duhej një investim i shpejt.

Punonjësja: Edhe këtu janë këto dy ngritësit, janë brenda standardeve, janë shumë të mirë.

Edi Rama: Një pyetje kam unë. Sikur të na kishte ndodhur kjo kur mos të kishim këto depot.

Manastirliu: Do të ishte shumë e vështirë, do të na duhej që të bënim një investim shumë të shpejtë.

Edi Rama: Pra vaksinat do të ishin në dorë të zotit, pasi këtu ka qenë magazinë për të ruajtur mollët e dardhat.

Manastirliu: Të shkojmë të shohim dhe ambientin tjetër.

Teksa ishin duke shkuar për të parë frigoriferin që ruan vaksinat deri në minus 80 gradë, Rama tha se duhet ta shohin dhe njerëzit që të mos nisin konsipracionet.

“T‘ua tregojmë dhe njerëzve se konsipracionet bëjnë punën e vetë“, tha Rama.

Ka qenë shefja e Departamentit të sëmundjeve Infektive në ISHP,  Silva Bino, e cila ka shpjeguar se si ruhen vaksinat në depot e ISHP-së

“Këtu është depoja që mbahen të gjitha vaksinat, të gripit, të fëmijëve. Përveç dhomat me frigorifer me plus 2 plus 8, ka dhe frigoriferë dhe minus 20. Këto janë frigoriferë që i kemi blerë vitin që shkoi”, tha ajo.

Në fund tregoi se kapaciteti për të ruajtur vaksinat deri në minus 80 gradë është deri në 50 mijë doza.