Rama premton dorëheqje nëse vërtetohen akuzat për drogë
Kryeministri i Shqipërisë ka thënë sot në Kuvendin e Shqipërisë se është i gatshëm të dorëhiqet nëse vërtetohen akuzat e opozitës se Qeveria e tij është e përfshirë në trafik droge. Rama dhe Sali Berisha kanë debatuar ashpër sot në Kuvend.

Lajme
Duke iu përgjigjur akuzave të opozitës për implikim të tij dhe të qeverisë së tij në trafikun e drogës, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka thënë se do të japë dorëheqje nëse vërtetohen këto akuza.
\”Dorëhiqem nga posti i kryeministrit të Shqipërisë nëse vërtetohen akuzat për trafik droge”, ishte përgjigja e Ramës ndaj akuzave të opozitës, sidomos pas ngjarjes së Divjakës, më 10 maj.
Në sallën e Kuvendit para deputetëve, kryeministri Rama deklaroi se do të zhduket nga foltorja nëse vërtetohet qoftë edhe një nga akuzat e bëra ditët e fundit nga opozita.
\”Unë i pari, Saliu i dyti, agjutanti i SHQUP-it, i treti, dhe padiskutim gjithë \’Gridëria\’ e angazhuar në këtë shfaqje të shkojmë një e nga një para prokurorëve të çështjes. Nëse vërtetohet qoftë edhe vetëm një nga gjithë akuzat tuaja të gjithë këtyre ditëve, që më lidhin mua me trafikun e drogës, unë nuk do të jap thjesht dorëheqjen, por do të zhdukem përgjithmonë. Por, ama të biem dakord që në rast të kundërt, nuk kërkoj të njëjtën gjë që do bëja dhe vetë, ju kërkoj që Saliu dhe Jozefina të bashkohen me ekipin e Ministrisë së Shëndetësisë një ditë si vullnetar për të dezinfektuar Divjakën nga mushkonjat\”, tha Rama.
Debati i ashpër u zhvillua në mes të Ramës dhe Sali Berishës, ku nuk munguan akuzat e ndërsjella. Ish kryeministri Berisha e cilësoi Ramën si baron droge në Evropë, duke e ftuar të bëjë edhe testin për drogën.
\”Zotohesh se do hetohesh, po hetohesh ti, por qytetarët shqiptarë do ta rrëzojnë qeverinë tënde dhe atëherë do hetohesh. I ke bërë vendit dëmin më të pallogaritshëm me narko-trafiqe. Është mirë të kuptosh se je i vetmi kryetar ekzekutiv në Evropë që e shndërrove vendin tënd në Kolumbi dhe pastaj mendon se do të shlyesh këto me fjalime. Absolutisht, mu kujtua fjalimi i lamtumirës i Enver Hoxhës. Merre po deshe rrotën e avionit se do të thonë o rrotë avioni. Ajo është bërë simboli yt”, tha Berisha.
Pas një debati disaorësh, deputetët e opozitës braktisën sallën e Kuvendit, ndërsa partia në pushtet vazhdoi punën me pikat e rendit të ditës, duke diskutuar miratimin e një sërë projektligjesh.