Rama: Për Serbinë më mirë të pranojë që Kosova nuk është pjesë e saj

Sa më parë që Serbia formalisht të pranojë që Kosova kurrë më nuk do të jetë pjesë e saj, do të jetë më mirë për Serbinë dhe tërë rajonin, tha të mërkurën kryeministri shqiptar Edi Rama. 

Lajme

23/10/2014 00:05

Në një intervistë dhënë agjencisë amerikane të lajmeve, Rama tha se e ndjen dhe beson thellë se ata (Serbia) tashmë e kanë bërë këtë, por vetëm nuk e kanë thënë, transmeton agjencia amerikane e lajmeve AP.

Sipas fjalëve të tij, Shqipëria dhe Serbia duhet të përpiqen të përfundojnë armiqësinë prej dekadash dhe të fokusohen në çështje thelbësore, siç është ajo e anëtarësimit në BE, e jo në incidentin e javës së shkuar gjatë ndeshjes për eliminatoret e Evropianit, Serbi-Shqipëri.

Rama ftoi Beogradin që sërish të shqyrtojë qëndrimin e saj  ndaj Kosovës. Në këtë intervistë, Rama u shpreh se me politikën ndërkombëtare “nuk duhet të menaxhojnë ndeshjet e futbollit”.

“Ajo që duhet të na bashkojë është shumë më e madhe se ajo që na ndanë. Ne e duam ‘Evropën e madhe’, e ‘Shqipërinë e madhe’. Ne për këtë angazhohemi”, deklaroi pos tjerash kryeministri shqiptar për AP.