Rama për NIN: Daçiq politikan i aftë si unë

Pas vizitës dyditore në Serbi, kryeministri shqiptar Edi Rama, pranoi se ishte rënë dakord për të mos folur dhe për të mos përmendur Kosovën dhe se ai kishte shkelur protokollin në konferencën e shtypit, pas takimit me Aleksandër Vuçiq, kur u bëri thirrje autoriteteve serbe që të pranojnë "realitetin e pavarësisë së Kosovës".

Lajme

12/11/2014 23:04

Në një intervistë ekskluzive për gazetën serbe “NIN”, Rama deklaroi se është e pamundur që të mos flitet për Kosovën, dhe se ai ka qenë tepër serioz dhe i sinqertë kur foli për një të vërtetë të qartë.

“Unë nuk e kuptoj se si është e mundur që të mos përmendet Kosova, kur ajo përmendet kudo.  Unë nuk isha nervoz, ju duhet të pyesni Aleksandër Vuçiqin nëse ai ishte nervoz… Unë mendoj se kam qenë shumë i sinqertë, i hapur dhe i qartë. unë thashë të vërtetën. Takimi ishte i vështirë, konferenca për shtyp nuk ishte rutinë, pasi u tha e vërteta. Komunikimi ishte i hapur dhe i ndershëm, edhe pse takimi ballë për ballë me kryeministrin Vuçiç ishte shumë i vështirë, unë mendoj se ishte shumë i arsyeshëm. Ne ishim të sinqertë me njëri-tjetrin. Unë preferoj një rrugë më të vështirë, sepse kjo e forcon miqësinë”.

Rama tha për “NIN” se me Boris Tadiç ka pirë kafe si një mik, dhe se me presidentin Nikoliç nuk është takuar, sepse nuk ishte planifikuar orari i vizitës së tij.

“Por, sinqerisht, unë nuk e humba këtë takim”, tha Rama.

Rama deklaroi se për vizitën e tij në Beograd nuk u ndikua aspak nga kancelarja gjermane Angela Merkel.

“Doja të vija dhe të hapja një kapitull të ri me Serbinë. Marrëveshja për takimin ishte bërë përpara takimit me Angela Merkel”, tha Rama.

Duke folur për Ministrin e Jashtëm serb, Ivica Daçiq, kryeministri Rama tha se ai është një politikan i aftë, sikurse ai, dhe që thotë atë që mendon.

“Ivica Daçiq ka aftësi të caktuara që dhe unë i kam. Një politikan i aftë që është në gjendje të thotë atë që ai mendon se do të jetë interesante për njerëzit, pa marrë parasysh nëse kjo është e vërtetë apo jo. Kjo është tipike e politikës profesionale”, u shpreh Rama.

Ai deklaroi se Shqipëria nuk do të jetë aspak penguese e procesit të integrimit euro-atlantik të Serbisë, përkundrazi do e mbështesë atë.

Kryeministri shqiptar tha se nuk sheh asgjë të diskutueshme në faktin që shqiptarët në jug të Serbisë, duhet të kenë të drejta të barabarta me të drejtat e pakicës serbe në Kosovë.

“Unë vlerësoj gjithçka që është arritur me anë të dialogut mes Serbisë dhe Kosovës për minoritetin serb në Kosovë. Por pse nuk është bërë edhe në Preshevë kjo gjë”, pyeti ai, transmeton Shekulli.