Rama për marrëdhëniet me Kosovën: Duhet të jemi më të pranishëm në Prishtinë, Ballkani i Hapur na bën më të fortë në rajon
Në vizionin e mandatit të tretë qeverisës kryeministri i Shqipërisë Edi Rama pritet t’i kushtojë vëmendje më të madhe marrëdhënies Shqipëri-Kosovë. Këtë e bëri të ditur vetë Rama ndërsa diskutonte me deputetë të rinj e të vjetër, në Pallatin e Brigadave.
Lajme
Rama tha se deputetët shqiptarë duhet të jenë më shumë prezentë në Kuvendin e Kosovës, si dhe e kundërta, ndërsa nuk la pa cituar edhe mosdakordësinë për Ballkanin e Hapur, nga figura politike në Kosovë.
Mediat atje raportojnë se Rama deklaroi se Ballkani i Hapur është një zgjidhje e qartë, e drejtë, kuptimplotë për të ardhmen e vendit, pasi mund të përfitosh nga një hapësirë shumë më e madhe ndërveprimesh në të gjitha nivelet.
Deklarata e plotë
Kemi të gjithë eksperiencën për të kërkuar nga vetja shumë më tepër cilësi në komunikimin publik. Një cilësi të re ne duhet të synojmë në marrëdhëniet tona parlamentare me Kuvendin e Kosovës. Duhet të jemi më të pranishëm në Prishtinë, si deputetë, për të diskutuar me kolegët deputetë atje, për të ndarë opinione dhe për të zhvilluar ide në interes të dy shteteve tona dhe do t’i ftojmë të jenë të pranishëm në ambientet e Kuvendit në Tiranë.
Ballkani i Hapur është një zgjedhje e qartë, e drejtë, kuptimplotë për të ardhmen e këtij vendi, ku sa më shumë të ndërveprojmë, përfitojmë nga një hapësirë shumë më e madhe ndërveprimesh në të gjitha nivelet, aq më shumë do të zhvillohemi dhe forcohemi dhe në funksion të perspektivës sonë europiane.
Do të punojmë në çdo sektor për t’i dhënë mundësi të gjithë aktorëve të ekonomisë sonë, që vit pas viti të kenë hapësira shumë më të mëdha dhe pastaj jam i bindur që do kemi rezultate që do flasin vetë pse Ballkani i Hapur nga bën më të fortë si Shqipëri dhe si faktor qoftë në rajon dhe Europë. /Lajmi.net/