Rama: Nuk ka pasur asnjë përpjekje për të eliminuar Tom Doshin

Kryeministri Edi Rama ishte sonte mysafir në emisionin Opinion të Blendi Fevziut dhe aty e cilësoi si një telenovelë akuzat e deputetit Tom Doshi për vrasjen e tij nga kryeparlamentari Ilir Meta.

Lajme

05/03/2015 23:06

Rama tha në emisionin “Opinion” se kjo ngjarje është një telenovelë e shëmtuar dhe një farsë me impakt në jetën politike dhe sociale.

Rama e quajti përjashtimin e Doshit, një “përjashtim të një pjesëtari të grupit tonë parlamentar, me të cilin nuk mund të bashkëjetonim më, sepse kishte shkelur kontratën e bashkëjetesës sonë”.

“Pretendimin për organizimin për një vrasje ndaj deputetit Doshi e kam mësuar nga vetë deputeti, i cili më shprehu shqetësimin se ishte në dijeni të një komploti, ku përfshiheshin personat që tashmë dihet se kush janë dhe që ministri i Brendshëm i ka renditur dje besnikërisht”.

“Kemi ndjekur këtë situatë hap pas hapi me ministrin e Brendshëm dhe u njoftua edhe Kryeprokurori. Që të ketë një hetim ligjor duhet të ketë një kallëzim, gjë që deputeti nuk ka dashur asnjëherë ta bëjë”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh se nuk ka pasur asnjë përpjekje për të eliminuar deputetin Doshi, ndërsa shtoi se ky deputet u paraqit te ministri Brendshëm me një aktor, jo me një vrasës.

“Kjo gjullurdi, kjo telenovelë, ku janë përfshirë një tufë politikanësh dhe një tufë rrugeçërish, duhet të marrë fund përmes një hetimi që do të nxjerrë sepse u kurdis e gjithë kjo dhe nga kush. Duhet gjetur se kush janë nxitësit e këtij procesi që qartësisht ka rezultuar në një farsë për të marrë peng opinionin publik dhe Kuvendin, duke ngritur gjithë këtë ngjarje nga një hiç”, tha Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se, i ka thënë deputetit Doshi të heqë dorë nga ideja se ka një komplot kundër tij, sepse kjo gjë nuk ekzistonte. Duke folur për vrasësin e akuzuar, ai u shpreh se “një njeri që është gati të aktrojë për miliona, duhet patjetër të jetë dikush që duhet të vijë nga bota e krimit”.