Rama në Preshevë: Nuk do të ketë më pengesa për shqiptarët kudo që ata jetojnë

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama u ka garantuar shqiptarëve të Luginës së Preshevës se askush nuk do të guxojë që t’ua mohojë të drejtën për t’u ndjerë si të gjithë europianët tjerë.

Lajme

11/11/2014 13:23

Ai gjatë fjalimit në Shtëpinë e Kulturës në Preshevë tha se e drejta e shqiptarëve, kudo që ata jetojnë, i garantohet me Kushtetutën e Shqipërisë.

“Unë jam në dijeni për vështirësitë dhe pamundësitë tuaja këtu, pa vullnetin tuaj. Ne do t’i shuajmë ato brenga, ne do t’i zhbëjmë padrejtësitë, ne do t’i heqim të gjitha ato. Ne, jeni të bindur se do t’i heqim gjitha pengesat që ua ndalojnë një vajze dhe një djali me kombësi shqiptare që të ndihet evropian si të gjithë të tjerë”.

“Nuk është një detyrim partiak, apo shtetëror, por është një detyrim kushtetues, e cila thotë se obligon që të drejtat e shqiptarëve duhet të mbrohen kudo që ata jetojnë”.

“Ne do të japim një të ardhme të denjë çdo shqiptari kudo që jetojnë, pavarësisht se ku jeton. Ne jemi të bindur se na është dhënë një mundësi historike, e munguar me dekada dhe shekuj e identifikuar me urrejtje e luftëra”.

“Sot në 100 vjetorin e luftës së parë botërore, na është dhënë rasti të krijojmë një paqe të qëndrueshme në rajon”.

“Ne do të jemi europianët e ri të këtij rajoni, pasi që ka ardhur koha që Europës t’i bashkohet edhe rajoni ynë”.

Rama ka përmendur edhe të drejtën që të rinjtë nga Lugina të studiojnë në universitetet e Shqipërisë, dhe të kenë të drejtë që me ato diploma të punojnë në vendlindjen e tyre. Kjo, sipas tij, do tu mundësohet përmes një marrëveshje të djeshme me Kryeministrin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. 

“Ju siguroj se unë qeveria jon, nuk do të rreshtim së punuari për të rilindur Shqipërinë dhe për rilindur shpresat e çdo shqiptari kudo që janë”.

“Pas një diskutimi intensiv me kryeministrin e Serbisë, ne në orët e fundit të mbrëmjes kemi firmosur marrëveshjen për shkëmbimet e të rinjve dhe për njohjen reciproke të diplomave. Kësi soji, kemi hapur një faqe të re për pranimin e diplomave universitare të Shqipërisë në Serbi”.

“Unë jam shumë besimplotë që kemi hapur një faqe të re të marrëdhënieve në mes të Shqipërisë dhe Serbisë. Me këtë ne nuk duhet ë lejojmë që gjeneratat e reja shqiptare dhe serbe që të mos trashëgojnë pasojat traumatike të konflikteve të gjata, të cilat nuk i meritojnë”. 

Kreu i qeverisë së Shqipërisë ka thënë se shqiptarët e Luginës së Preshevës duhet t’i kenë të drejtat e tyre, ashtu siç i kanë serbët në Kosovë.

“Shqiptarët e Shqipërisë dhe të Kosovë janë garant të stabilitetit të rajonit”.

“Ne jemi shembull për trajtimin e minoriteteve. Dhe nga kjo krenari ne kemi të drejtët të kërkojmë një trajtim të tillë edhe për veten”.

“Ka shumë mundësi që kjo zonë, ku dallimi është shumë i madh, të kthehet në një zonë ku dallimi nuk vërehet, dhe për këtë kam folur me kryeministrin Vuçiq”.

“Unë besoj se projekti i paqes dhe programi i transformim të këtij, projekti në realitet për çdo familje dhe çdo individ, kërkon bashkimin e gjithë faktorit këtu në Preshevë për adresimin e problemeve reale siç janë:,arsimi, shëndetësia mirëqenia e po ashtu edhe një jetë kulturore”.

“Për të hyrë në BE, nuk duhet të flasim gjuhën e BE-së, por t’i japim mundësinë që secilit të mësojë në gjuhën e tij dhe të mos kemi frikë nga gjuha e tjetrit”.

“Përfaqësimi i administratës duhet të jetë i plotë, mundësia për punësim të jetë e plotë”.

“S’ka arsye që shqiptarët e Luginë së Preshevë të kenë më pak mundësi, më pak hapësirë, më pak të drejta se serbë në veri të Kosovës”.