Rama në “Bordin e Paqes” i bën thirrje Trumpit për çështjen e Thaçit në Hagë: Të veprojmë para se të jetë vonë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë fjalës së tij në takimin e Bordit të Paqes, i ka bërë thirrje presidentit të SHBA-së, Donald Trump, që të ndërhyjë lidhur me zhvillimet në Gjykatën Speciale në Hagë, duke u fokusuar në rastin e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Rama deklaroi se Thaçi ishte penguar të udhëtonte drejt…

Lajme

19/02/2026 17:49

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë fjalës së tij në takimin e Bordit të Paqes, i ka bërë thirrje presidentit të SHBA-së, Donald Trump, që të ndërhyjë lidhur me zhvillimet në Gjykatën Speciale në Hagë, duke u fokusuar në rastin e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Rama deklaroi se Thaçi ishte penguar të udhëtonte drejt Shtëpisë së Bardhë për të nënshkruar Marrëveshjen e Uashingtonit, duke fajësuar prokurorin Jack Smith për këtë veprim, transmeton lajmi.net.

“Presidenti i Kosovës atëherë u pengua brutalisht të udhëtonte drejt Shtëpisë së Bardhë për ta nënshkruar atë marrëveshje në prani të Presidentit Trump. Dhe kjo ishte vepër e po atij prokurori ‘sicario’ që kishte shkuar edhe pas vetë Presidentit Trump dhe për këtë u bë i famshëm në mbarë botën”, u shpreh Rama.

Kryeministri shqiptar theksoi se Thaçi tashmë ka kaluar gjashtë vite në paraburgim në Hagë, në një proces që sipas tij po zhvillohet nga një gjykatë e mbështetur nga disa shtete demokratike.

“Sot, Presidenti i Kosovës ka kaluar tashmë gjashtë vite në paraburgim para një gjykate speciale në Hagë, e sponsorizuar nga disa shtete demokratike, disa prej tyre të pranishme këtu, të cilat duhet të turpërohen për këtë lloj drejtësie ndërkombëtare. Vetëm javën e kaluar, zoti President, një tjetër prokuror i financuar nga ky vend i madh dhe taksapaguesit e tij kërkoi 45 vite burgim për të, një kërkesë që dërgoi valë tronditëse poshtërimi nëpër një komb të tërë që kërkon paqe”, tha ai.

Në përmbyllje, Rama paralajmëroi për pasojat që, sipas tij, mund të ketë ky proces dhe i kërkoi Trumpit të ndërmarrë hapa konkretë.

“Në këtë moment, vetëm pak muaj e ndajnë një njeri që u ngrit nga rezistenca kundër spastrimit etnik për t’u bërë paqebërës nga një përfundim potencialisht shkatërrues në një gjykatë që deri më tani ka dështuar në çdo hap për të respektuar standardet e drejtësisë demokratike. Për hir të Zotit, zoti President, le të bëjmë diçka para se, siç thoni ju, gjëra shumë të këqija të ndodhin përsëri”, përfundoi Rama./lajmi.net/